Ekzekutimi i 35-vjeçarit në Peqin: Vihen në pranga dy persona

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga dy persona lidhur me vrasjen e 35-vjeçarit Albi Bashaliu në  Gjoçaj të Peqinit, mëngjesin e datës 27 dhjetor 2021, bashkëfshatarë të tij.

Policia e Elbasanit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, tha se ka vijuar punën hetimore që çoi në arrestimin e shtetasve: Veiz Bashaliu, 41 vjeç dhe Mikel Xhaja, 30 vjeç, të dy banues në fshatin Gjoçaj, Peqin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera është dokumentuar se këta shtetas kanë kryer veprime aktive për të fshehur rrethanat e ngjarjes dhe kanë penguar aktivisht organet e Policisë, për t’u informuar për ngjarjen, rrethanat si ka ndodhur dhe motivin.

Gjithashtu, në kuadër të kryerjes së veprimeve procedurale dhe thellimit të hetimeve për këtë ngjarje të rëndë kriminale, në ndjekje e sipër të autorëve të dyshuar të veprës penale, më datë 28.12.2021, rreth orës 1:00, në aksin rrugor Gosë-Vibashtovë, Rrogozhinë, është gjetur automjeti tip “Volksëagen Caddy”, që ka qenë në përdorim nga viktima, shtetasi A. B.

Nga rrethanat e hetimit dyshohet se autorët kanë marrë mjetin e viktimës për t’u larguar, ndërsa mjetin me të cilin ata udhëtonin e kanë djegur në vendngjarje.

Në vendngjarje janë gjetur sende të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dhe që u dërguan për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore.

Nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.