Shpërthim Covid-i, Kina mbyll një qytet me 13 milionë banorë

Kina mbylli një qytet prej 13 milionë banorësh të enjten në përpjekje për të shuar një shpërthim të vogël Covid dhe për të ndjekur politikën e saj zero-infektim në një kohë që kombet e tjera anembanë globit po luftojnë me rritje të mëdha të infeksionit të nxitura nga Omicron.

Tregjet e aksioneve u rritën në Azi, duke ndjekur drejtimin e Ëall Street, pjesërisht për shkak të studimeve paraprake nga Britania që tregojnë se infeksionet Omicron kishin më pak gjasa të rezultojnë në shtrimin në spital krahasuar me Delta.

Optimizëm i matur erdhi gjithashtu pas lajmeve se Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së kishte autorizuar pilulën anti-Covid të Pfizer, duke ofruar mjete të reja për të luftuar sëmundjen.

Por me Omicron që po sjell numrat rekord të infeksioneve në shumë vende, autoritetet në mbarë botën po i ktheheshin përsëri kufizimeve në udhëtime dhe tubime.

Evropa po përballon ngarkesën më të madhe të rasteve të infeksionit, duke regjistruar 60 për qind të totalit global gjatë javës së kaluar, sipas një raporti të përpiluar nga AFP nga burime zyrtare të mërkurën.