‘Do e kisha pushtuar Ukrainën me kohë’/ Pse po mburret lideri çeçen?

Nga Julian Roepcke, BILD

A po e thotë ai hapur atë që Kremlini e ka vendosur në mënyrë të fshehtë prej kohësh?

Ramzan Kadyrov, tifoz i arteve marciale, fanatik i armëve dhe guvernatori besnik i Putinit në Republikën e Çeçenisë, mbajti të dielën një konferencë vjetore me rastin e Krishtlindjeve.

Për tre orë, 45-vjeçari iu përgjigj ‘39 pyetjeve më urgjente të gazetarëve’, siç raportoi televizioni i tij shtetëror. “Edhe 10 mijë pyetje të tjera u morën gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë,” bëri të ditur transmetuesi i regjimit.

Një temë me interes të veçantë këtë vit ishte edhe qëndrimi i Kadyrov për konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës. Dhe ai mbajti tamam një qëndrim që i shkon imazhit të tij si Rambo.

“Unë i vetëm mund ta përballoj Ukrainën,” tha njeriu që dërgoi trupa në Donbas në vitin 2014 për të mbështetur seperatistët atje kundër ushtrisë ukrainasë.

Kadyrov u mburr: “Problemi i Ukrainës nuk është në nivelin e presidentit (Putinit). Ai është problem për nivelin tim. Nëse do e merrja urdhrin, tani kjo punë do ishte zgjidhur”.

Kërcënimi i ‘Shefit të Republikës Çeçene”, emri që përdoret gjerësisht në vendin e tij me miratimin e Putinit: “Ose do ta kisha aneksuar Ukrainën për Republikën Çeçene, ose do ta kisha pushtuar shumë kohë më parë. Siç thashë pas Krimesë: Ne duhet ta marrim Kievin”.

Pra politikani i sanksionuar nga BE dhe SHBA për krimet e tij, pretendon se Ukraina është “populli ynë dhe territori ynë”. Prandaj një pushtim i shtetit fqinj nga ana e Rusisë është i justifikuar dhe vetëm çështje kohe.