Njihuni me 19-vjeçaren që do të bëhet pilotja më e vogël që fluturon nëpër botë

Adoleshentja Zara Rutherford, e cila po përpiqet të bëhet gruaja më e vogël në moshë që fluturon e vetme rreth globit, kujtoi sfidat e  saj ku përfshihej kalimi mbi një Siberi të shkretë dhe me akull të mërkurën pas uljes në Xhakartë.

Pilotja 19-vjeçare belgo-britanike, e cila u ngrit nga Belgjika në gusht, shpreson të përfundojë udhëtimin e saj prej 51,000 kilometrash në pesë kontinente dhe 52 vende deri në mes të janarit 2022.

Pjesa më e vështirë deri më tani ishte të fluturoje në të gjithë Rusinë veriore, u tha ajo gazetarëve në kryeqytetin indonezian, sepse nëse diçka shkon keq, ndihma në temperaturat nën zero ka të ngjarë të jetë disa orë larg.

"Nëse për ndonjë arsye motori ndalon, mendoj se mund të mbijetoj. Mund të ulem në tokë ose (të përdor) parashutën ose të zhytem në ujë. Do të jem mirë," tha ajo.

"Problemi është nëse unë jam në minus 35 gradë Celsius, kur të jem në tokë dhe jam tre orë larg njeriut më të afërt ...Aty në fakt nuk e di se sa kohë mund të mbijetoj."

Për të përmbushur kriteret për një fluturim rreth botës, Rutherford ka caktuar dy pika përballë njëra-tjetrës në glob, Jambi në Indonezi dhe qytetin kolumbian të Tumaco.

Duke e përshkruar çdo fluturim të vetëm si një "aventurë" dhe një sfidë zgjuarsie, e bija e dy pilotëve tha se shpresonte që udhëtimi i saj të frymëzonte vajza të tjera të reja në fushat e aviacionit, shkencës, teknologjisë, matematikës dhe inxhinierisë.

Rekordi që ajo kërkon të thyejë mbahet nga Shaesta Waiz, e cila ishte 30 vjeçe kur fluturoi e vetme nëpër botë në 2017.