Omicron ka më pak gjasa t'ju shtrojë në spital, thonë studimet

Dy studime të reja britanike japin disa parashikime të para se varianti omikron i koronavirusit mund të jetë më i butë se versioni Delta.

Shkencëtarët theksojnë se edhe nëse gjetjet e këtyre studimeve të hershme qëndrojnë, çdo  gjëduhet të peshohet kundrejt faktit që Omicron përhapet shumë më shpejt se delta dhe është më i aftë të shmangë vaksinat. Një numër i madh i infeksioneve mund t’i mposhtë spitalet.

Megjithatë, studimet e reja të publikuara të mërkurën duket se mbështesin kërkimet e mëparshme që sugjerojnë se Omicron mund të mos jetë aq i dëmshëm sa varianti Delta, tha Manuel Ascano Jr., një biokimist i Universitetit Vanderbilt që studion viruset.

"Optimizmi i kujdesshëm është ndoshta mënyra më e mirë për ta parë këtë," tha ai.

Një analizë nga ekipi i Covid-19 në Imperial College në Londër vlerësoi rreziqet e shtrimit në spital për rastet me Omicron në Angli, duke gjetur se njerëzit e infektuar me variant kanë rreth 20% më pak gjasa për të shkuar në spital fare sesa ata të infektuar me variantin Delta, dhe 40 % më pak gjasa për t'u shtruar në spital për një natë ose më shumë.

Kjo analizë përfshinte të gjitha rastet e COVID-19 të konfirmuara nga testet PCR në Angli në gjysmën e parë të dhjetorit, në të cilat mund të identifikohej varianti: 56,000 raste me Omicron dhe 269,000 raste me Delta.