Krishtlindje nëpër Evropë: Krapi brenda në vaskë dhe tradita të tjera çeke

Imagjinoni  një mbrëmje idilike çeke. Është mbrëmja e 24 dhjetorit dhe familjarët e afërt janë ulur për vaktin e Krishtlindjes, momenti kryesor i sezonit festiv.

Po ditë më parë do të kishit shkuar te ndonjë nga mijëra shitësit e krapit që rrinë nëpër rrugët e vendit.

Për ata me mendësi tradicionale, ju do ta kishit blerë krapin tuaj të gjallë dhe do ta kishit mbajtur në vaskë deri më 24 dhjetor. Për ata pa këto tradita, shitësi i krapit do ta vriste dhe do ta jepte ty.

Pavarësisht se 24 dhjetori njihet si "ditë bujare" (Štědrý den), shumë çekë ende agjërojnë deri në darkë. Nëse e bëjnë këtë, fëmijëve u thuhet të kujdesen për një derr të artë (zlaté prase), një shenjë e fatit të mirë për vitin e ardhshëm.

Pas darkës, familjarët nisin të presin një mollë. Nëse bërthama tregon një yll, do të thotë se do të ketë një lindje vitin e ardhshëm; po tregoi kryq nënkupton një vdekje.

Më pas vijnë dhuratat. Por në vend që të sillen nga një Santa Claus me veshje të kuqe ose një variant i Shën Nikollës, fëmijët çekë presin me padurim dhuratat e tyre të dorëzuara nga Foshnja Jezus (Ježíšek).

Për disa familje, Foshnja Jezus sjell edhe pemën e Krishtlindjes, e cila ngrihet nga prindërit në mbrëmjen e 24 dhjetorit.

Pas gëzimeve familjare të natës së Krishtlindjes, 25 dhjetori sjell Festën Hyjnore të Krishtlindjes (Boží hod vánoční), një ditë për të vizituar anëtarët e tjerë të familjes ose miqtë dhe për të ngrënë sëbashku ç’u gatua në drekë.