Klima, bujqësia, pyjet: 6 konkluzionet kryesore të Konferencës së OKB në Glasgow

Gjashtë gjetjet kryesore për Bujqësinë, Pyjet dhe Peshkimin.

Nga Prof. Abdulla Diku.

Konferenca e 26-të e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP 26), e mbajtur në Glasgow, Skoci, më 31 tetor deri më 13 nëntor 2021, vlerësoi se për sektorët e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Peshkimit në dokumentat e Kontributeve të Përcaktuara Kombëtare ka një situatë të tillë;

1. Është rritur ambicja e masave zbutëse në sektorët e bujqësisë, përfshirë pyjet, në të gjitha gjitha rajonet e botës. 95% e NDC-ve (Kontributet e Përcaktuara Kombëtare) të reja të përditësuara përfshijnë zbutjen në sektorët e bujqësisë, pyjeve dhe ndryshimet në përdorimët e tjera të tokës (LUCF) krahasuar me ato të mëparshme (82%). Pjesa (40%) e NDC-ve me një objektiv specifik për sektorin e Gazeve serrë në Bujqësi dhe/ose LULUCF u dyfishua në krahasim me NDC-të e mëparshme (18%).

2. Komponentët e përshtatjes vazhdojnë të pasqyrojnë cënueshmërinë dhe urgjencën ekstreme në drejtim të përshtatjes dhe qëndrueshmerisë në sektorët bujqësorë dhe ekosistemet natyrore. Pjesa e vendeve me përshtatje në sektorët e bujqësisë nuk ka ndryshuar ndjeshëm (nga 92 në 95%), por mbulimi i nën-sektorëve bujqësor është zgjeruar; psh. sistemet e mbjelljes (nga 59 deri në 70%), blegtoria (nga 50 deri në 55%), pyjet (nga 42 deri në 68%), peshkimi (nga 59 deri në 60%) dhe zinxhiri i vlerave agro-ushqimore (nga 19 deri në 51%). Shumica e vendeve konsiderojnë gjithashtu ekosistemet tokësore (71%), burimet e ujërave të ëmbla dhe ekosistemet, duke përfshirë ligatinat (62%), zonat bregdetare dhe ato të ulëta (42%), ekosistemet detare (30%) dhe biodiversitetin (42%) si zona prioritare për adaptim.

3. NDC-të e dyta (2021) tregojnë një njohje dukshëm më të madhe të dobësive, nevojave dhe kapaciteteve të grave dhe grupeve të tjera të margjinalizuara. Pothuajse të gjitha (94%) vendet në zhvillim përmendin gjininë dhe/ose grupet e tjera të margjinalizuara, si pronarët e vegjël, popujt indigjenë dhe të rinjtë, si një çështje ndërsektoriale ose fushë prioritare në NDC-të e reja/të përditësuara. Megjithatë, vetëm disa vende (14%) kane paraqitur masa dhe tregues të përgjegjshëm gjinor për të mbështetur përshtatjen në sektorët e bujqësisë ose të burimeve natyrore.

4. Ekzistojnë boshllëqe të konsiderueshme në specifikat e nevojave financiare për zbatimin e NDC-ve në sektorët e bujqësisë dhe burimeve natyrore, si dhe në nevojat për mbështetje për të përballuar ndryshimet klimatike. Sektorët e bujqësisë përbëjnë pjesën më të madhe të nevojave teknike dhe kapaciteteve të shprehura për zbatimin e NDC-ve.
NDC-të e reja/të përditësuara e njohin gjithnjë e më shumë rolin e aktorëve të sektorit privat në rritjen e masave zbatuese, veçanërisht në sistemet pyjore dhe zinxhirët e vlerës agro-ushqimore.

5. Sistemet kombetare te cilat duhet të ndjekin në mënyrë transparente progresin e përshtatjes dhe zbutjes shpesh nuk janë ende eficente. Shumë vende (67%) raportojnë se sistemet monituruese/vleresuese për të gjurmuar masat zbutese dhe shumica e vendeve (81% për qind) komunikojnë se ato sisteme për të gjurmuar përshtatjen ose janë planifikuar ose nuk janë krijuar ende. Një e treta e masave zbutëse dhe dy të tretat e masave përshtatëse në sektorët e bujqësisë nuk shoqërohen me asnjë tregues për të gjurmuar zbatimin dhe rezultatet.

6. NDC-të e fundit (2021) pasqyrojnë më shumë atribute të planifikimit dhe zbatimit adekuat dhe efektiv sesa NDC-të e mëparshme, duke përfshirë angazhimin pjesëmarrës të palëve të interesuara, mekanizmat e koordinimit ndërsektorial, përafrimin me Planet Kombëtare të Përshtatjes (NAPs, 61%), Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs, 59%) dhe planet e rimëkëmbjes së gjelbër (66%). Theksojmë se edhe Shqipëria ka paraqitur një dokument të tillë (NDC), në të cilin ndryshe nga ai i vitit 2015, përfshihet edhe sektori i Bujqësisë, Pyjeve dhe Përdorimet e tjera të tokës (AFOLU), bashkë me një plan veprimi dhe masat e përshtatjes dhe ato zbutëse.