VIDEO/ ‘Benzi’ me drogë ne bagazh, shton shpejtësinë për t’i ikur pikës së kontrollit, rrezikon jetën efektivëve

Policia Rrugore dhe shërbimet operacionale të Drejtorisë së Policisë Durrës, parandaluan një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, duke sekuestruar 8.5 kg kanabis sativa.

“Shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit Operacional Durrës, që janë të vendosura në pikë kontrolli në aksin rrugor Tiranë- Durrës, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se një automjet tip “Benz” transportonte lëndë narkotike, kanë intensifikuar kontrollet e imtësishe për çdo automjet të dyshuar.

Drejtuesi i automjetit tip “Benz” që kishte lëndën narkotike në bagazh, pasi ka parë shërbimet e Policisë, ka shtuar shpejtësisë, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në pikën e kontrollit.

Patrullat e Policisë Rrugore dhe shërbimet e tjera të DVP u vunë në ndjekje dhe bënë të mundur ndalimin e mjetit, së bashku me dy personat që qarkullonin me këtë automjet.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e mjetit, gjetën dhe sekuestruan 8.5 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, të vendosur në arka bananesh”, tha policia.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. N., 30 vjeç, banues në Vaqarr, Tiranë (drejtues i mjetit) dhe G. R., 36 vjeç, banues në Burrel (pasagjer në mjet).

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.