Në Angli janë të sigurt: Pogba largohet nga Man. Junajtid në fund të sezonit. Tre klube të interesuara për francezin

Një lajm i bujshëm vjen nga Anglia, ku janë të bindur se as ndryshime të fundit në klub nuk kanë bindur Pol Pogba që të vazhdojë aventurën e tij te Mançester Junajtid. Mesfushori francez tashmë e ka vendosur që do të largohet nga “djajtë e kuq” dhe që në ditët e para të janarit, do të gjejë një klub të ri për të vazhduar karrierën e tij.

Sipas “Football Insider”, Pogba i ka komunikuar klubit se është gati të largohet që në janar, në mënyrë që anglezët të përfitojnë diçka nga shitja e tij, meqë do të largohet gjithsesi si futbollist i lirë në qershor kur i përfundon kontrata. Ndaj duket se këto janë ndeshjet e fundit në të cilat ai do të veshë fanellën e klubit legjendar.

Për lojtarin kanë shfaqur interes konkret 3 klube me Real Madrid e PSG që janë gati të bëjnë investime të rëndësishme ekonomike për të siguruar lojtarin, si dhe Juventusin që shpreson që ta bindë të kthehet përsëri në Serinë A ku ai përjetoi vitet më të suksesshme të karrierës.