Fundjava kuqezi/ Legjionarët shënojnë, nuk mungon ‘derbi i shqiptarëve’ në Serie A

Futbollistët shqiptarë që luajnë në Europë kanë mbyllur një tjetër javë me paraqitje pozitive me klubet e tyre, teksa bie më shumë në sy loja e Myrto Uzunit dhe Endri Çekiçit, të cilët i dhanë fitoren skuadrave respektive.

Çekiçi u aktivizua në minutën e 80-të të lojës, vetëm 10 minuta para mbylljes së kohës së rregullt, teksa realizoi edhe golin e fitores për Koniasporit në minutat shtesë.

Paraqitja e tij vlerësohet me notën 7.8 nga uebsajti i specializuar për statistika, SofaScore. Nga këmbët e një tjetër futbollisti kuqezi ka ardhur një tjetër gol.

Myrto Uzuni ka qenë këtë fundjavë heroi i Ferencvaroshit në Hungari, teksa goli i tij “vlerësohet” me tre pikë të plota.

Lindon Selahi është një tjetër futbollist kuqezi, i cili ka bërë një ndeshje të mirë me Rijekën në Kroaci, që fitoi këtë fundjavë ndaj Istrës.

Mesfushori shqiptar u vlerësua me notën 7 në këtë sfidë, teksa e nisi lojën si titullar.

Serie A këtë fundjavë ka shënuar një tjetër “derbi shqiptarësh”, teksa përballë Spezia-s së Rey Manajt ka qenë Empoli i Nedim Bajramit.

Kuqezinjtë luajtën për pak minuta përballë njëri-tjetrit, pasi Manaj ishte në fushë që nga minuta e parë, teksa u zëvendësua në minutën e 72-të, ndërsa mesfushori kuqezi u aktivizua në minutën e 63-të të lojës.

Gjithashtu, këtë fundjavë janë aktivizuar edhe lojtarë të tjerë të Kombëtares, si Sokol Cikalleshi me Koniasporin, që në minutën e parë, por nuk arriti dot të lërë gjurmë, ashtu sikurse sulmuesi tjetër i Kombëtares, Ernest Muçi në Poloni.

Gjimshiti, Roshi, Doka, Hysaj, Lenjani, Selmani e Strakosha janë të tjerë emra kuqezi që kanë pasur minutat e tyre nën këmbë me skuadrat në kampionatet elitare në Europë.