Deputeti Basha harron akuzat e hershme, e quan SPAK ‘dritë shprese’

Deputeti, Lulzim Basha, është shfaqur këtë paradite në foltoren e parlamentit duke përdorur një gjuhë “të egër” ndaj Edi Ramës, gjë që tashmë është një strategji e njohur. Mes të tjerave ai ka hapur temën e arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka të përfshirë në aferën e inceneratorëve.

Sipas Bashës, ky veprim i SPAK është një dritë shprese, por siç shprehet ai, Lefter Koka nuk është koka, por bishti. Kryesori u shpreh Basha që qëndron pas kësaj aferë është Edi Rama.

“Sot është vendi dhe koha për të thënë se hapi i parë i ndërmarrë me arrestimin e një prej ministrave mund të jetë një dritë shpresë, që një nga kolonat të shoqërisë të rindërtohet. Për më shumë se 5 vite Rama dhe trekëndëshi i Bermudës janë përpjekur të ndërtojnë reformën në drejtësi, me njerëz që japin garanci që nuk do preken trekëndëshi i Bermudës, me gjyqe si ai i Saimir Tahiri, me të pandehur që sot janë në arrati dhe me një kokë turko që për ironi e ka mbiemrin koka, por në fakt është bishti, sepse koka është prapa meje. Në asnjë vend normal, edhe qytetari më i thjeshtë i Afrikës e kupton që 17 vendime brenda ditës nuk kanë si të ndodhin nëse koka është koka që është në pranga dhe jo ky që është prapa meje”, deklaroi deputeti Basha.

Kujtojmë se përpara nisjes së Foltores dhe zhvillimeve të fundit në Partinë Demokratik, Lulzim Basha ka qenë mjaft kritik ndaj SPAK që sot e quan “dritë shprese” dhe madje e ka akuzuar shpesh se është vegël e Edi Ramës.