Loja e sektit Basha me diplomatët

Lulzim Basha mblodhi dje në Pallatin e Kongreseve mbështetës të tij besnik, në një takim që për disa orë e quajti Kuvend apo Kongres!

Një nga ato mbledhjet me shumë mllef, me shumë inate, sa do i kishte zili jo ndonjë socialist ekstremist, por edhe ato 99 e konvertuar në rilindas socialistë.

Luli dhe jo vetëm, shfaqën anën e tyre më të keqe. Jo thjesht si mosmirënjohës, por si kamikazë, që po mos nxirrnin vrerin nga goja, mund të plasnin në atë sallë, ku jo më shumë se 5 muaj më parë, prisnin me brohorima Sali Berishën.

E mbani mend në korrik, kur Berisha hyri në atë sallën ku dje u hodh vrer mbi të, dhe Luli si një fëmijë i lumtur gati sa nuk qante nga gëzimi. Të njëjtën sjellje kishin të gjithë anëtarët e sektit Basha.

Në Kuvendin e korrikut ishin shumë të lumtur që i shpalluri ‘non grata’ ndodhej mes tyre. Dhe jo vetëm të lumtur, u vunë në një garë mes tyre, kush ta përqafonte, kush të ulej sa më pranë apo të bënte një foto.

Janë të njëjtët personazhe që dje si lanë gjë pa thënë, aq sa me siguri Fatos Nano apo Edi Rama, Erion Braçe apo Taulant Balla, do kenë mbetur me gojën hapur, pasi kurrë s´i kanë thënë e stërthënë ato që ia thanë Berishës, nga ajo salla, ku edhe numri i karrigeve dhe hapësira u manipulua.

Dje u sollën tamam si një sekt, që kishte thyer ndoshta frikën, por kishte kaluar në delir, duke u shfaqur si triumfatorë, mbi çdokënd, madje edhe mbi historinë e asaj partie që i përdorën siglën, anëtarët, dhe çdo burim tjetër.

Ia numëruan të gjitha deri në neveritje, por sërisht nuk bindën në forcën e tyre.

Folën si njerëz të parimeve, si pro-amerikanët më të mëdhenj, a thua se nuk ishin të njëjtët që e çuan PD drejt përplasjes më të madhe me administratën amerikane nga 1997 e këtej.

Dje u shfaqën me të gjithë potencialin e tij, të mbledhur në një sallë, pavarësisht dëshirës për të organizuar një Kuvend, që në fund ishte shpallja zyrtare e sektit, as blu dhe as mavi.

Po pse nuk bind Lulzim Basha, edhe kur mbush një sallë?

Arsyeja është e thjeshtë: ai s´ka lidhje me realitetin, as me atë që po përballet dhe gjithçka i duket si një ëndërr. Është në fazën ku gjithçka që ndodh nuk i duket si diçka që po e jeton, që duhet të përballet dhe duhet ta pranojë. Kjo u pa edhe dje, kur në atë sallë shfaqej me sy mbyllur, jo nga lodhja, por ndoshta duke u lutur: O Zot ma bëj ëndërr.

Dhe kjo e bën që realiteti ti duket si një situatë jo-reale, sikur asgjë nuk ndodh, madje arrin deri atje sa mohon edhe atë që i ndodh poshtë zyrës, në çdo degë dhe në çdo qytet.

Ai nuk e njeh referendumin, sikundër nuk njeh as Kuvendin që e shkarkoi, sikundër nuk njeh asnjë vendim, që në një formë a në një tjetër e nxjerr jo nga dera, por nga dritarja e partisë që iu dha si pajë nga i shpallur ‘non grata’.

Dje Basha thjesht mblodhi njerëz në një sallë dhe sërisht duhej të ishte i lumtur, por jo, ai gënjeu, sepse u përpoq të bindte se po organizonte një Kuvend. Gënjeu për numrin e të pranishmëve, kur duhej të ishte më se i lumtur për aq sa kishte arritur të mblidhte.

Por jo, gënjeu edhe për numrin e delegatëve, dhe gënjeshtra shkoi deri aty, sa manipuloi edhe mbi numrin e personave që nxë hapësira në Pallatin e Kongreseve. Atij nuk i duhen njerëz, por delegatë, mundësisht robotë që as mos reagojnë, dhe të flasin, kur ti kurdisë, për ato që ai ka në mendje.

Dje gënjyen pa u skuqur, pa u zverdhur, a thua se më parë në atë godinë nuk ishin mbajtur Kuvende apo Kongrese farsë.

Gënjyen kur thanë se në një sallë kur edhe në ditët më të sukseshme të saj, nuk mund të qëndrojnë më shumë se 2300 vetë, 200 prej të cilëve, duhet të ulen në shkallë dhe jo në ndenjëse.

Por Luli, me gojën e Jeminit, tha se ishin 5004 delegatë, dhe këtë e bëri thjesht për ti treguar, jo njerëzve brenda partisë, por diplomatëve se ai ka mbështetje, se kontrollon partinë, dhe se do të qëndrojë heroikisht deri sa dikush prej ambasadorëve ti thotë hap krahun.

Në fakt ai e ka hapur krahun, jo nga Berisha dhe nga ata që i cilëson si anti-amerikanë, por për faktin se kurrë nuk arriti të ngjisë, të bëhet lider dhe të besohet. Nuk e besojnë as ata që ishin dje në sallë, përsa kohë, e paralajmëruan se do e mbështesin me kushte, edhe pse u përpoqën ta viktimizojnë.

Ky është roli që ka marrë së fundmi, viktimë politike, në radhët e një partie, që me apo pa dashje, ngriti jo vetëm kultin e individit, por edhe sektin që drejtohet nga Luli.

Dhe ndoshta ai pret që në dyert e partisë ti shfaqen forcërisht për ta nxjerrë jashtë, pasi ky do të ishte shpëtimi për të. I duhet për të çuar deri në fund rolin si viktimë, i duhet për tu justifikuar para çdo diplomati që partinë ia morën ata, anti-amerikanët, jo me votë por me forcë.

Është kjo arsyeja që pothuajse çdo ditë ai mbledh njerëz, aq sa i kanë mbetur, që në kushte të tjera nuk do i qaste jo në zyrë, por as te porta e jashtme e partisë, për të treguar se nuk është i vetmuar, dhe më pas hedh provokime dhe flet për skenarë se si ai dhe sekti i tij, do të mbrohen.

Kush e njeh historinë e asaj partie e ka të qartë se çfarë do të ndodhë. Luli dhe të tijët thjesht po shtyjnë ditët derisa të shpallin partinë e re, që me shumë gjasë do e pagëzojnë si ‘Republika e re’.

/BoldNews.al