‘Skenar bashkëpunimi me Ramën’/ Berisha: Mund të ketë situata të paparashikueshme, por revolucioni...

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur nga selia e Partisë Demokratike, pas referendumit për shkarkimin e Lulzim Bashës, ku u bëri thirrje deputetëve dhe kryetarëve të degëve të PD, që të marrin dokumentat e votimeve, që tregojnë shkarkimin e Bashës nga mbi 40 mijë anëtarë të PD dhe të marrin përgjegjësi për të përfaqësuar zgjedhësit e tyre.

Sipas ish-kryeministrit Berisha, mund të ketë situata të paparashikueshme, por revolucioni nuk do të ndalet dot nga askush.

Gjithashtu Berisha bëri edhe një paralajmërim për ata persona që janë bërë gati për të qeverisur me Edi Ramën.  Me sa duket Berisha ka sinjale, se mund të jetë duke u përgatitur bashkëqeverisje mes Ramës dhe Bashës.

Berisha: Sugjerimi i parë. Çdo deputet të PD, e ftoj të vijë dhe të marrë listën e plotë të anëtarësisë që ka votuar dhe të votave, në mënyrë që të ballafaqojë veten me përgjegjësinë që ka ndaj këtyre votuesve. Këtu është e tërë anëtarësia e PD.

Ftoj çdo deputet të marrë listën, të kontrollojë një për një anëtarësinë që ka votuar dhe të nxjerrë konkluzionet e duhura. U them zotërinjve se PD kaloi krizën më të thellë. E kaloi atë duke rikthyer standartet e lirisë. Të mos sillen më si njerëz pa vizion politik.

Së dyti, ftoj të gjithë kryetarët e degëve edhe ata që i ka emëruar Lul Brava edhe ata që janë zgjedhur. Të marrin dokumentat e votimit të anëtërësisë së tyre. Të mos bashkëpunojnë në një skenar që nuk do të pengojë dot kurrë këtë revolucion.

Mund të krijojë situata të paparashikueshme, por nuk e ndalon dot revolucionin!

U them atyre që kanë bërë gati, më falni për shprehje, ato (të ndenjurat) për karrike qeveritare, hiqni dorë nga ky skenar, se revolucioni do t’ju fshijë bashkë me pengmarrësin tuaj. Akti i tradhtisë së lartë nuk do të tolerohet nga ky revolucion. Rikthehuni në shtëpinë tuaj!