Basha humbi thellë te lagjja e tij, Berisha: Historia përsëritet. E pësoi si Ramizi 30 vjet më parë

Nga selia e PD, Sali Berisha komentoi humbjen e thellë të Lulzim Bashës në lagjen e tij, te dega 8 në Tiranë. 

Berisha tha historia përsëritet dhe se Basha pësoi të njëjtin fat si diktatori i fundit komunist, Ramiz Alia 30 vjet më parë. 

Vota e demokratëve të degës 8 tha Berisha, e denatyralizoi Lulzim Bravën, siç e quajti Berisha, deputetin Basha.  

"Historia përsëritet. Në vitin 1991 kjo lagje, ndër më demokratiket e kësaj toke i rezervoi diktatorit të fundit komunist disfatën turpëruese. Pas 30 vitesh, po kjo lagje i rezervon Lulzim Bravës, apo peng Bashës të njëjtin fat. Me një dallim, diktatori komunist nuk kishte lindur në atë lagje, kurse Lulzim Brava ka lindur aty. Pra e denatyralizuan. Ky quhet procesi i denatyralizimit që i bënë demokratët e lagjes numër 8. Nderim dhe mirënjohje të pakufishme për votën e tyre"

Te dega 8, shkarkimi i Bashës u votua me 760 vota pro, 10 kundër, 4 të pavlefshme. 

Ndërsa në total, shkarkimi i Lulzim Bashës u ratifikua nga 43 385 vota pro.