Votë e lirë në një referendum apo dryna për të mbrojtur karriget?

Votë e lirë në një referendum apo dryna për të mbrojtur karriget? Një demokratizim fitues apo një kryetarokraci humbëse? Hapje apo mbyllje?

Nesër më 18 dhjetor, jepi dhe më shumë forcë vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit duke u angazhuar në rithemelimin e një lëvizjeje pro-shqiptare, pro-demokratike dhe pro-perëndimore!

Voto si njeri i lirë!

Të mbështesësh garën e lirë nëpërmjet votës së lirë do të thotë të ndërtosh një forcë realisht euro-atlantike. Të mbështesësh mbajtjen me dhunë të godinave do të thotë të jesh një autokrat.

Të krijojmë një precedent historik, një standard të ri, mbi të cilin të mund të ballafaqojmë çdo lider sot dhe nesër, në opozitë apo në pushtet. Kryetari në shërbim të qytetarit, dhe jo qytetari në shërbim të kryetarit. Kjo është esenca e referendumit të së shtunës, 18 dhjetor.

Të promovojmë demokracinë pjesëmarrëse, duke nxitur llogaridhënien e liderave ndaj anëtarësisë, në çdo moment, dhe përballë çdo sfide. Nuk është llogaridhënie të thuash e ka fajin tjetri që u vodhën zgjedhjet, por çfarë bëra unë që të parandaloja masakrat zgjedhore.

Të nxisim konkurrencën elektorale dhe zgjedhjet e parakohshme sa herë që nevoja paraqitet si brenda forcës sonë, ashtu dhe përballë konkurrentit tonë politik. Nuk e kanë fajin shokët e zonjës “kaprata” që pranuan mandatin e u futën në parlament, por mënyra sesi ata u përfshinë në lista, pa asnjë meritokraci dhe transparencë.

Të pengojmë ngritjen e një ‘establishment-i’ që kërkon të privatizojë përfaqësimin demokrat. Askush nuk e ka monopolin e anëtarësisë pasi pluralizmi është liria e secilit prej nesh për të kërkuar ndryshim kurdoqoftë.

Më 11 dhjetor, Kuvendi Kombëtar hapi një horizont të ri duke shkarkuar lidershipin aktual dhe duke ngritur komisionin rithemelues të Partisë Demokratike. Më 18 dhjetor, anëtarësisë i jepet shansi historik të shtrojë kornizat e këtij rithemelimi demokrat duke shenjtëruar votën e lirë!

Një votë, një anëtar, do të thotë demokratizim. Ndaj, nesër, më 18 dhjetor, shko voto!