Humbin jetën 22 persona, 16 në gjendje të rëndë pasi konsumuan alkol të falsifikuar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Turqi ku 22 persona kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë pasi janë helmuar nga alkooli.

Zyra e guvernatorit deklaroi se 22 personat humbën jetën pas konsumimit të alkoolit të falsifikuar. Në spital janë paraqitur 46 persona të helmuar.

Policia lokale bën me dije se gjithçka ka ndodhur përgjatë periudhës 16 nëntor – 16 dhjetor ku në disa markete janë blerë sasi alkooli të prodhuar në kushte primitive dhe me lëndë të dëmshme, të cilat kanë shkaktuar tragjedinë në fjalë

Policia ka arrestuar 4 persona. Turqia njihet për prodhimin e pijeve alkoolike nëpërmjet lëndëve të dëmshme, të cilat shkaktojnë qindra të vdekur çdo vit. Gjatë operacioneve policore janë sekuestruar 32 mijë e 978 shishe pije alkoolike, 27 ton 619 litra pije alkoolike të falsifikuara, shkruajnë mediet turke.