Samiti i BE: Pasoja të rënda për Rusinë nëse avancon në Ukrainë

Liderët e Bashkimit Europian paralajmëruan Rusinë për “pasoja masive” nëse do të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë. 27 vendet anëtare e bënë të qartë qëndrimin e tyre në një deklaratë të përbashkët pas samitit të mbajtur të enjten në Bruksel.

“Përsërisim thirrjen ndaj Rusisë që të zbusë tensionet dhe të përmbahet nga akte të mëtejshme agresioni. BE mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe se Moska do të ndërmarrë veprime provokuese, do të detyrohemi të ndërmarrim sanksione me kosto masive”, tha Ursula Von Der Leyen, Presidente e KE.

Tensionet më Rusinë janë në pikët më të lartë që prej 2014-s , kur Moska aneksoi ilegalisht gadishullin e Krimesë. Këtë vit shtetet perëndimore druhen se presidenti Vladimir Putin po planifikon një ofensive ushtarake në të gjithë frontet në Ukrainë. 95 deri në 100 mijë trupa janë stacionuar përgjatë kufirit me Ukrainën, sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane. Samiti 1 ditor u fokusua gjithashtu te pandemia koronavirus dhe dozat përforcuese, si mënyrë për frenimin e valës Omicron.

“Do të kemi një qasje të përbashkët ndaj dozave përforcuese dhe vlefshmërinë e certifikatës shëndetësore. Dozat përforcuese rekomandohen të paktën 6 muaj pas vaksinimit të plotë, ndërsa certifikata do të jetë e vlefshme edhe për 3 muaj të tjerë përtej këtij afati”, tha Ursula Von Der Lejen.

Rritja e çmimeve të energjisë, ishte gjithashtu në vëmendje të 27 liderëve të BE. Samiti përfundoi pa ndonjë marrëveshje lidhur me çështjen, ndërsa shtetet u përplasen mbi mënyrat se si do t’i përgjigjeshin rritjes së çmimeve të karbonit dhe rregullat për investimet e gjelbërta. Megjithatë presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Sholc thanë më vonë se do të zhvillonin bisedime gjatë ditëve në vazhdim për arritjen e një kompromisi. Ky ishte samiti i parë europian për pasardhësin e Merkel, e gjithashtu për kryeministren suedeze Magdalena Andersson dhe kancelarin austriak Karl Nehammer.