Operacion i policisë gjermane kundër ekstremistëve të Covid, po komplotonin vrasjen e guvernatorit

Policia në shtetin lindor të Gjermanisë, Saksoni, ka nisur një seri bastisjesh pasi janë bërë kërcënime me vdekje ndaj kryeministrit Michael Kretschmer që mbështeti vendosjen e kufizimeve për koronavirusin.

Aktivistët e ekstremit të djathtë kundër vaksinimit dyshohen se kanë komplotuar dhunë me me harqe ose "armë të tjera shpuese".

Saksonia ka vaksinimin më të ulët të popullatës në Gjermani. Vitin e kaluar zoti Kretschmer paralajmëroi për "histerinë" e Covid, por më vonë ai kërkoi falje dhe që atëherë i ka mbështetur masa të rrepta.

Kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz, u tha deputetëve të mërkurën se "kjo pakicë e vogël e ekstremistëve të pafrenuar" nuk do të lejohet të imponojë vullnetin e tyre në shoqëri.

Policia në Saksoni tha se forcat e sigurisë, përfshirë njësinë speciale anti-ekstremiste Soko Rex, po bastisnin një numër vendesh, si reagim ndaj kërcënimeve të bëra kundër kryeministrit të shtetit, të theksuara nga një dokumentar televiziv gjerman një javë më parë.

Komploti kundër Kretschmer u ekspozua fillimisht nga programi Frontal, gazetarët e të cilit kishin depërtuar në një grup prej rreth 100 personash që komunikonin përmes aplikacionit të mesazheve Telegram.

Duke e quajtur veten Dresden Online Netëorking, anëtarët diskutonin idetë dhe madje planifikonin të takoheshin në parqe, raportoi transmetuesi publik ZDF. Programi monitoroi një bisedë në të cilën një burrë foli se ishte i armatosur dhe gati.

Policia tha se ishin bërë deklarata dhe plane për të vrarë kryeministrin e shtetit si dhe përfaqësues të tjerë të shtetit.

Zbulimet shkaktuan një protestë në Gjermani. Kretschmer tha se të gjitha mjetet ligjore duhet të përdoren kundër kërcënimeve të tilla.

"Njerëzit në poste publike nuk duhet të kenë frikë të thonë mendimin e tyre dhe të bëjnë punën e tyre," tha ai.

Kretschmer, një anëtar i Kristian Demokratëve të qendrës së djathtë që ishte në qeveri në nivel kombëtar deri javën e kaluar, fillimisht ishte armiqësor ndaj kufizimeve të forta Covid.

Por që kur Saksonia u bë një nga shtetet gjermane të goditura më shumë nga koronavirusi, ai ka ndryshuar mendje.