Biden viziton Kentakin dhe premton 'çfarëdo që të duhet' për viktimat e tornados

Presidenti Joe Biden u zotua të mërkurën të bëjë "çfarëdo që duhet, për aq kohë sa duhet" për të ndihmuar Kentakin dhe shtetet e tjera pas një sërë tornadosh vdekjeprurëse që anë pas një gjurmë shkatërrimi të paimagjinueshëm. "Ju do të rikuperoheni dhe do të rindërtoni," tha ai.

"Përmasa dhe shkalla e këtij shkatërrimi është pothuajse përtej  asaj që mund të besohet," tha ai ndërsa qëndronte përpara një shtëpie të rrënuar dhe grumbuj mbetjesh në Dawson Springs, një nga dy qytetet e Kentakit që ai vizitoi.

Biden foli për stresin e ndjerë nga viktimat e fatkeqësive natyrore si stuhitë e fundjavës që përfshinë tetë shtete dhe tha se ishte urgjente që njerëzit të zhvendoseshin nga strehimoret e urgjencës për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Në të njëjtën kohë, presidenti vlerësoi ardhjen e mbështetjes nga komunitetet e tronditura dhe tha se mbështetja federale që ai ka dhënë do të vazhdojë.

"Diçka e mirë duhet të dalë nga kjo," tha Biden. "Në kaq shumë vende, shkatërrimi u prit me dhembshuri."

Më shumë se 30 tornado e shpartalluan Kentakin dhe shtatë shtete të tjera gjatë fundjavës, duke vrarë të paktën 88 njerëz. Mijëra banorë kanë humbur shtëpitë ose janë pa energji elektrike.

“Unë synoj të bëj gjithçka që duhet për aq kohë sa duhet për të mbështetur shtetin tuaj, udhëheqësit tuaj vendorë, ndërsa ju rikuperoheni dhe rindërtoni”, tha Biden.

Në Dawson Springs, Biden eci nëpër grumbujt e shembjeve. Dekorimet e prishura të Krishtlindjeve ngatërroheshin me copa mobiljesh dhe veshje të shpërndara. Pemët qenë shkulur midis shtëpive. Mbi tingujt e makinerive të rënda të angazhuara në pastrimin pak blloqe më larg, presidenti amerikan ndaloi të fliste me viktimat e stuhisë.