Super-heronj dhe ngjyra: Italia, Greqia dhe vende të BE nisin vaksinimin e fëmijëve 5-11 vjeç

Italia, Greqia dhe një pjesë e vogël e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian filluan vaksinimin e fëmijëve të moshës 5-11 vjeç kundër Covid-19 të mërkurën, ndërsa qeveritë e BE-së u përgatitën të përballen me variantin Omicron që përhapet shpejt gjatë udhëtimeve dhe tubimeve të mëdha të sezonit të festave.

Akrobatë të veshur si superheronj iu ngjitën mureve të një spitali në Milano në Itali, ndërsa qyteti përgatitej t'i bashkohej fushatës së prezantimit të ri të vaksinës. Të veshur me pelerina dhe kostumet me maska, superheronjtë u varën mureve për të përshëndetur pacientët përmes dritareve në një pavijon të pandemisë dhe fëmijët e tjerë në krahun e pediatrisë.

Të vegjëlve që bënin dozën e tyre të parë në Greqi iu dhanë ngjitëse me ngjyra dhe ditë pushimi nga shkolla.

Greqia i nisi vaksinat e para tek fëmijët më të vegjël disa orë pasi autoritetet njoftuan numrin më të madh të vdekjeve ditore në vend nga pandemia: 130 persona. Ndër të parët që u përgjigj ishte ministrja e Arsimit Niki Kerameus.

“Nuk do ta fsheh faktin që në nivel personal, pasi biseduam me mjekët dhe morëm të dhëna shkencore, familja jonë vendosi të vaksinonte djalin tonë, i cili është 5 vjeç e gjysmë,” tha Kerameus përpara se djali i saj, Loukas të bënte gjilpërën në një spital të Athinës.

Dr Franco Locatelli, kreu i Këshillit Epror të Shëndetit të Italisë, udhëhoqi vendin përmes valës së parë shkatërruese të pandemisë. Ai u bëri thirrje familjeve italiane që të marrin pjesë në programin e vaksinës së fëmijëve, duke shpresuar të rrisë shkallën tashmë të lartë të vaksinimit në vend mes një rritjeje të re të infeksioneve.

"Merreni parasysh këtë thirrje për të gjitha familjet," tha Locatelli. “Përfitoni nga kjo mundësi. Flisni me pediatrin tuaj. Vaksinoni fëmijët tuaj. Bëjeni për ta. Tregojuni atyre se sa shumë i doni fëmijët tuaj duke u dhënë atyre mbrojtjen maksimale të mundshme.”

Elisabetta Valente, e cila punon si mjeke në Romë, e solli vajzën 5 vjeçe dhe atë 9 vjeçej në një muze që ishte kthyer në një qendër vaksinimi për fëmijët.

"Unë jam një pediatër dhe punoj në njësitë e kujdesit intensiv," tha Valente. “Kur sheh se çfarë ndodh me ata që zgjedhin të mos marrin vaksinën, të bën të mendosh, “Po sikur të kishin bërë një zgjedhje tjetër?”

Spanja dhe Hungaria gjithashtu zgjeruan programet e tyre të vaksinimit për fëmijët më të vegjël. Rregullatorët e BE-së miratuan muajin e kaluar një vaksinë me dozë të reduktuar të prodhuar nga Pfizer-BioNTech për përdorim në grupmoshën 5-11 vjeç.

Një rritje prej dy muajsh e infeksioneve në të gjithë Evropën u lehtësua pak në fillim të dhjetorit, por shfaqja e variantit omicron ka krijuar pasiguri. Sipas një analize të martën të të dhënave nga Afrika e Jugut, ku omicron po nxit një rritje të infeksioneve, varianti duket se përhapet më lehtë nga personi në person dhe më i mirë në shmangien e vaksinave, por edhe më i butë.

Një zyrtar i lartë i BE-së tha të mërkurën se blloku pret që Omicron të dominojë infeksionet në BE deri në mes të janarit. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve sugjeroi që qeveritë të marrin në konsideratë kufizimet e lidhura me udhëtimin dhe të vazhdojnë me fushatat e vaksinimit dhe vaksinat përforcuese.

Vaksinat për fëmijët janë vullnetarishte në të gjitha vendet e BE-së dhe kërkojnë miratimin e prindërve.

Autoritetet në Spanjë kanë vendosur një objektiv ambicioz për vaksinimin e fëmijëve më të vegjël përpara festave të zakonshme familjare në Krishtlindje. Gati 90% e banorëve të vendit 12 vjeç e lart kanë marrë dy doza vaksinash.

Polonia, Portugalia, Kroacia dhe Sllovenia planifikojnë të ulin moshën e pranimit të vaksinës më vonë këtë javë.

Disa qindra njerëz protestuan të mërkurën përpara selisë së qeverisë në kryeqytetin kroat të Zagrebit. Protestuesit brohorisnin "Mos vrisni fëmijët tanë!" dhe "Ne nuk do t'ju japim fëmijët tanë!"

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se nevojiten më shumë prova për vaksinat kundër Covid-19 tek fëmijët, në mënyrë që ajo të japë rekomandime të përgjithshme për përdorimin e tyre tek fëmijët. Ajo gjithashtu thotë se vaksinat në përgjithësi duhet të rezervohen për ata që janë më të prekshëm nga gjendja e rëndë e Covid-19, e cila përfshin të moshuarit, njerëzit me sistem imunitar më të dobët dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Disa vende të BE-së po marrin një qasje më të kujdesshme ndaj vaksinimit të fëmijëve më të vegjël. Gjermania ka nisur një shtrirje me bazë rajonale, Holanda po pret deri pas pushimeve dhe Franca po i jep përparësi fëmijëve që vuajnë nga problemet e zemrës dhe të frymëmarrjes, obeziteti dhe diabeti. h.