Von der Leyen: BE-ja e gatshme për masa të pashembullta kundër Rusisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të mërkurën se Bashkimi Evropian është i gatshëm që t’i shtojë sanksionet dhe të marrë masa të pashembullta kundër Rusisë, nëse ky vend shfaq agresion të mëtejmë ndaj Ukrainës.

Duke folur në Parlamentin Evropian, Von der Leyen tha se BE-ja ka punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të hartuar opsione që shkojnë përtej sanksioneve ekzistuese, që cak i kanë sektorët rusë të financave dhe energjisë, mallrat civile e ushtarake dhe fushën e mbrojtjes.

 “Përgjigjja jonë ndaj çfarëdo agresioni të mëtejmë mund ta marrë formën e një shkallëzimi të fuqishëm dhe zgjerim të këtyre regjimeve ekzistuese të sanksioneve”, tha zyrtarja e lartë para deputetëve të BE-së.

“Dhe, natyrisht, ne jemi të gatshëm për të marrë masa shtesë, të pashembullta, me pasoja serioze për Rusinë”, shtoi Von der Leyen, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Për pasoja serioze në rast të agresionit ndaj Ukrainës, Rusinë e kanë paralajmëruar edhe Shtetet e Bashkuara, Gjermania e Britania e Madhe.

Në anën tjetër, Moska ka mohuar se ka plane për pushtimin e Ukrainës dhe e ka akuzuar shtetin fqinj për sjellje provokuese, pavarësisht raportimeve për dhjetëra mijëra trupa ruse afër kufirit ukrainas.