Greqi, mbi 29,000 prenotime vaksinash për fëmijët 5 - 11 vjeç

Athinë – Nis sot në Greqi vaksinimi Covid për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç dhe autoritetet kanë njoftuar se deri tani janë bërë prenotime për më shumë se 29,000 fëmijë.

“Vaksinimi i fëmijëve do të reduktojë përhapjen e virusit në komunitet, duke mbrojtur në mënyrë indirekte grupet vulnerabël pranë fëmijëve”, tha të hënën Maria Theodoridou, kryetare e Komitetit Kombëtar të Vaksinimit.

Në konferencën e përditshme për Covid-19, Theodoridou tha se efektet anësore të mundshme të vaksinimit tek fëmijët përfshijnë temperaturën dhe reagime të vogla rreth vendit të injektimit.

“Vaksinimi mbron shëndetin e një fëmije… por ka rreziqe të vogla, siç është rreziku i sindromës inflamatore multisistemike tek fëmijët (MIS-C), ku një në çdo 3000 raste mund të jetë serioz”.

Duke cituar një studim nga Lancet, ajo tha se fëmijët e moshës 5-17 vjeç me astmë kishin tre deri në gjashtë herë më shumë gjasa të shtroheshin në spital për shkak të koronavirusit.

Ajo nënvizoi se fëmijët marrin një të tretën e antigjenit që u jepet të rriturve dhe se dy doza u jepen në një interval prej 21 ditësh. Nëse një fëmijë shfaq shenja të sëmundjes, doza e dytë mund të jepet pas një periudhe prej tre muajsh, me rekomandimin e një pediatri.

Në lidhje me vaksinën e tretë për të rriturit, ajo tha se studimet tregojnë se injeksioni përforcues rrit nivelin e antitrupave me 25 herë, ndërsa vdekshmëria, si dhe rreziku për sëmundje të rënda, ulet me 90%.

Duke folur në të njëjtën konferencë, sekretari i përgjithshëm i Kujdesit Parësor Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Marios Themistokleous, tha se shkalla e vaksinimit për ata mbi 60 vjeç në Greqi kishte arritur në 86/%.

 

Por ai paralajmëroi se ishin 163,000 njerëz mbi moshën 60 vjeçare që morën dozën e dytë më shumë se shtatë muaj më parë, nuk e kanë marrë dozën e tretë përforcuese.

Ata tani konsiderohen të pavaksinuar, tha ai. Prej tyre, 90,000 kanë lënë një takim për një dozë përforcuese.