Akuj në qarkun e Korçës, mungesë energjie prej ditësh në Devoll, Maliq e fshatra të Pogradecit

Korçë - Gjatë natës, reshjet në juglindje kanë qenë të pakta, por trashësia e dëborës në 3 ditët e fundit, si në Dardhë, ka shkuar 70 cm dhe anësoreve, pas pastrimit nga borëpastrueset, ka shkuar 1 metër. Në Voskopojë, trashësia e dëborës ka shkuar rreth 30 cm.

Si pasojë e temperaturave të ulëta në disa minus gradë janë krijuar edhe akuj në rrugë,kështu segmentet si Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë, Ersekë-Leskovik, Pogradec-Qafë Thanë kanë nevojë për kriposje; grupet e punës me mjetet e tyre ndodhen në terren në mënyrë që të krijojnë lehtësi për drejtuesit e mjeteve.

Gjatë paradites në segmentin e Dardhës mjetet e vogla duhet të jenë të pajisura më zinxhirë.

Ndërkohë, problemi me energjinë elektrike vijon të jetë prej afro 3 ditësh në fshatrat e Devollit, në disa fshatra të Moglicës dhe Gorës së bashkisë Maliq dhe disa fshatra, si në Velçan e Trebinjë të Pogradecit kurse në bashkinë e Pustecit energjia u rilidh sot.