Tri betejat e Lulzim Bashës

“Lul, nuk jam i lumtur të të them, por sot për sot je i humbur dhe i mundur keqas. Arsyeja është se nuk ke ditur që t'i zgjedhësh betejat dhe armiqtë. Sa më parë të gjesh armikun që fshihet midis dy veshëve të tu dhe të fitosh betejën me të, aq me parë do të fitosh edhe paqen me vehten tënde. Jeta nuk pret. Bonoparti e pati thënë më së bukuri: Vdekja nuk është asgjë, por të jetosh i mundur është njësoj si të vdesësh nga një herë çdo ditë".

Të gjithë manovrën politike e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike, e kam zbërthyer në tri beteja, dhe në fitoren e betejës së fundit shkruhet edhe fati i tij unik. 

1. Beteja me Edi Ramën
Që të jem racional, kjo betejë nuk ka egzistuar kurrë. Edhe nëse në dukje ka egzistuar, kjo betejë nuk ka qenë e sinqertë. E gjithë enciklopedia e opozitarizmit të Lulzim Bashës, ka qenë një gënjeshtër e madhe, një prapaskenë dhe një tradhëti ndaj idealeve, ndjenjave, ëndërrave, sakrificave, gjakut dhe djersës së qindra mijëra demokratëve shqiptarë në Shqipëri dhe Diasporë.  I vetmi episod i një beteje që u duk se do të përmbyllej me një fitore të popullit opozitar, ishte Çadra e Lirisë. Besoj ju kujtohen fjalimet e tij shpresëdhënëse: “Shqiptarët të bëhen gati për ditën e madhe, ditën e parë të Republikës së re…që është dhe e para Republikë e shtetit shqiptar, që nuk do iu përkasë politikanëve por qytetarëve…Çadra nuk do mbyllet deri në fitoren totale PA KOMPROMIS të kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, deri në vendosjen e Republikës së Re”. E gjitha një mashtrim spektakolar. 

Ne fakt ishte KOMPROMISI, dhe më keq pazaret pesonale dhe ndarja e “tepsisë” ministrore me kundërshtarin politik Rama. Republika e re kurrë nuk jetoi ditën e parë të saj, ajo mbeti nje iluzion që u venit shpejt.  

Po ashtu thirrja per zgjedhje të lira e të ndershme mbeti dhe mbetet akoma vetëm një karrem për demokratët që të ngriheshin në protesta, këto jo me qëllim fitoren ndaj Ramës, por kristalizimin e Bashës si lider. Mbas kësaj, do të ishte po Basha që do ti shuante të gjitha një nga një. Ju kujtoj këtu protestat e qytetarëve te Shkozes, protesta e Unazës, protesta e Teatrit Kombetar, protesta e qytetarëve te Kukësit, protesta e qytetarëve te Himarës, protestat e biznesit te vogël dhe te fermerëve. Këto protesta ishin shpërthime legjitime te zëmerimit qytetar, protesta ndaj vjedhjes, korruprionit, taksimit të paligjshëm, kriminalizimit te jetës së shoqërisë shqiptare dhe shpirtit të dhunuar,  të gjitha pa përjashtim te manipuluara dhe të sabotuara nga lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. 

Partia Demokratike, jo se nuk mundi, por kurrë nuk deshi të dalë në krye dhe t’ju prijë ketyre protestive popullore, por tinxërisht u mjaftua me demagogjinë se “I bashkohemi këtyre protestave”. Studentët ishin të vetmit që e nuhatën këtë mashtrim me levizjen e tyre spontane te vitit 2017, ku, jo vetëm nuk e pranuan Lul Bashën t'i bashkoheshej potestës së tyre, por e dëbuan dhe e përbuzën. Një parti e cila nuk arrin që të fitojë besimin dhe t'i prijë studentëve dhe të sindikatave, ajo parti nuk përfaqëson apo mbron interesat e këtyre shtresave dhe është e destinuar të humbë. 

Lulzim Basha nuk është më përfaqësuesi i interesave the bindjeve tuaja. Ai, jo nga naiviteti apo mosdija, por me vetëdije të plotë e ka dorëzuar dhe konvertuar Partinë Demokratike në një zgjatim të Shoqerisë së Hapur të George Soros-it dhe është kthyer në patericën që mban në këmbë pushtetin e Edvin Ramës. Qytetarë shqiptarë, rrëzoni pushtetin e Bashës dhe pushteti i Ramës do të bjerë si gjethe vjeshte.

2. Beteja e Bashës me Berishën dhe bazën e Partisë Demokratike
Kjo përbën një bëtejë të vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës dhe në të gjitha dimensionet e saj. Ndërsa ka humbur katër beteja elektorale, mbasi e ka sjellë Partinë Demokratike në pikën më të dobët të saj, në një parti pa frymë, pa identitet, dhe pa një bosht konservator, nuk lejon që kjo parti të riorganizohet apo të marrë veten. Basha ka dy rrugë, “Modus Moriendi” ose “Modus Vivendi” ose të vazhdojë në nonsensin e tij dhe ta shkatërrojë këtë parti ose te dorëhiqet që të jetojë Partia Demokratike. PD-ja me kujton atë anijen e humbur në oqean dhe Lul Basha marinarin i cili vrau kapitenin dhe ushqeu veten me mishin e tij për të mbijetuar, por që mbeti i humbur përgjithmonë.
Lul Basha tashmë i zhytur në delirin e tij, mendon se duke “vrarë” Sali Berishën, ka vrarë armikun dhe mbi varrin e tij, një ditë mund të mbajë një fjalim si fitimtar. 

Ne këtë betejë me Berishën dhe të djathtën e vërtetë, Basha ka bërë aleancë dhe është rreshtuar në front me ata që nuk e lidh asgjë e përbashkët politike. Sekretari i Shtetit, ambasadorja, dhe Edi Rama dhe të gjithë këta nën padronin Soros, janë përfaqësues të partive dhe ideve të majta dhe globaliste, pikëpamjet e të cilëve bien ndesh më vlerat e djathta dhe konservatore të Partisë Demokratike.  

Basha, tashmë si dezertor, ka kaluar ne fushën e kundërshtarit dhe nga atje gjuan dhe sulmon ata të cilët e përkrahën dhe i dhanë aq shumë. Nën ombrellen e Edi Ramës, nuk e ndien veten vetëm, ndihet i sigurtë dhe i fortë.  Dukshëm, ngaqë i ka lënë shije të mirë kujtimi i “darkës” së ngadhënjimit gjashtë mujor të 2017, Lul Basha vazhdon marreveshjet me kundërshtarin mbas shpinës se demokratëve dhe mbas cdo humbjeje dëshiron te “hajë” pak sukses të rremë nga “çorba” Rama-Soros duke gëlltitur kështu kafshatën e turpit. 

Ndërsa Berisha ka dalë në terren, i cili me Foltoren ka ndezur edhe një herë shkëndijën e shpresës në bazën e gjerë dhe ju flet demokratëvë në sy, Basha është izoluar dhe në fjalimet e tij duket se më shumë se elektoratin kërkon të bind veten e tij, mediat dhe Ambasadoren. Basha aktualisht është i shkëputur nga baza,  po qëndron në ajër i kapur mbas disa akuzave spekulative dhe një titulli nongrata për Berishën mbi të cilin nuk ka asnjë siguri mbi vërtetësinë e tyre dhe në çdo moment mund të rrëzohet bashkë me to. Çdo ditë, tashmë çdo orë, po punon kundër tij dhe gropa që deshi ti bëjë Berishës po kthehet pak e nga pak në një rezervim të sigurtë të karrierës së tij politike. Gjykoj fati i Lul Bashës nuk është aspak në varësi të fatit të Sali Berishës. Sado sukses apo jo të ketë Sali Berisha, Lul Basha është i dështuar në këtë betejë përfundimisht. Ai, kurrë nuk do të jetë në gjendje që të unifikojë demokratët, jo vetëm se ka humbur katër palë zgjedhje, por më së shumti se na ka provuar se nuk ka integritet, nuk është luajal ndaj bashkëpunëtorëve dhe nuk është kurajoz për të mos marrë vendime nën presion. Pa këto virtyte, Lulzim Basha kryeministër, edhe me përkrahjen e ambasadores, është një mission i pamundur.  

3. Beteja brenda vetes së tij:
Në këtë pjesë të fundit, nga që ndjej keqardhje për gjendjen e tij, do të bëj punën e këshilltarit të tij dashamirë. Ashtu sic u duk qartë në këto tetë vite, armiku i yt Lul, nuk ishte kurrë Edi Rama. Nga ana tjeter ke shpallur Sali Berishën që prapë kurrë nuk duhej te ishte armiku yt. Në fakt, ke harruar se armiku yt i vërtetë qëndron pikërisht brenda teje. Egoizmi dhe babëzia të kanë nxënë dritën para syve që të kuptosh se je çdo ditë në luftë të vazhdueshme me veten e tënde.  Dukshëm, ka ardhur koha që ti te mos i shmangesh më kësaj beteje, dhe dalja fitimtar do te çliroje nje here e mire nga e keqja, nga uni dhe egoizmi te cilët te kane mbërthyer keqazi. Ndal një sekondë, merr frymë thellë dhe mundohu të kuptosh veten; të janë skuqur sytë nga pagjumësia dhe nervoziteti, të ka ikur buzëqeshja infantike, ke humbur durimin, flet në ankth dhe agoni sikur të ishe në fundin e një pusi, ke trashur zërin dhe këlthet sikur kërkon të trimërosh veten më shumë së për të frikësuar të tjerët. 

Lul, duhet që ta kuptosh se i vetmi person që të kontollon dhe të drejton drejt suksesit je ti. Nuk është Berisha as Partia, as ambasadorja, nuk është paraja, as as familja, as bashkëshortja e asgjë tjeter që të mund të fajësosh.  

Duke gënjyer të tjerët, kjo gjë nuk të ndihmon, as duke gënjyer veten nuk ndihmon veten dot, sikurse duke nxjerrë konkluzione apo parashikuar fitore i bazuar në supozime apo akuza pa baza ndaj kundërshtarit, nuk të bën fitimtar. 

Betejën me Ramën nuk e fiton mbasi nuk ska strategji fitoreje dhe nuk është e sinqertë. As betejën me Berishën nuk e fiton dot, mbasi të ka marrë bazën apo ushtrinë.  Të ka mbetur vetëm një opsion: lufta me veten tënde që mund të jetë më e vështira dhe nëse e pajis veten me strategjinë duhur, mund ta fitosh.  

Lul, nuk jam lumtur të të them, por sot për sot je i humbur dhe i mundur keqas. Arsyeja është se nuk ke ditur që ti zgjedhësh betejat dhe armiqtë. Sa më parë të gjesh armikun që fshihet midis dy veshëve të tu dhe të fitosh betejën me të, aq me parë do të fitosh edhe paqen me vehten tënde. Jeta nuk pret. Bonoparti e pati thënë më së bukuri: “Vdekja nuk është asgjë, por të jetosh i mundur është njësoj si të vdesësh nga një herë çdo ditë”.

Valentin Lumaj, Michigan, me10 Dhjetor 2021