Laboratori i drogës në Has, SPAK sekuestron hotelin e Admir Hoxhës

SPAK ka urdhëruar sekuestrimin e hotelit ‘Ador’ në Rinas, në pronësi të Admir Hoxhës, i cili është shpallur në kërkim për laboratorin e Heroinës në Has. Sipas SPAK kjo pronë kap një shifër prej afro 5 milionë eurosh.

Njoftimi i sekuestros është bërë që në muajin Shkurt të këtij viti, ndërkohë që tashmë prona i kalon përfundimisht shtetit shqiptar.

Resorti “Ador” me sipërfaqe 3320 m2, me katër kate bar restorant, parking dhe hotel, në Rinas Tiranë, në pronësi të Admir Hoxhës, i shpallur në kërkim prej afro dy vitesh nga ana e policisë. Gjithashtu Hoxhës i është bllokuar edhe automjeti tip Audi me targë AA 485 SN.

Sipas prokurorisë Admir Hoxha së bashku me kushëririn e tij Hekuran Hoxha janë dy drejtuesit e grupit kriminal, dhe personat përgjegjës që kishin organizuar futjen në Shqipëri nga Kosova të 161 pakove me heroinë, që më pas përpunohej në laboratorin e Hasit që u zbulua në 19 tetor të vitit të kaluar.

Sasia e drogës, ishte fshehur në një shtëpi në një nga fshatrat e Hasit, dhe prej këndej po planifikohej të transportohej në Durrës, më pas në Itali. Admir Hoxha, që njihet si ideatori i krijimit të laboratorit të zbuluar në Brenog të Hasit bashkëpunonte me grupin e Avdylajve të Shijakut, por edhe të tjerë në Lezhë, Fier dhe Sarandë.