Festë me kokainë në hotel, 26-vjeçari plagos shokun, çfarë ndodhi në dhomën e hotelit mes të rinjve

Një festë midis disa të rinjve në dhomën e një hoteli për pak sa nuk është kthyer në tragjedi. Një 20-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri në Durrës, pasi është qëlluar nga shoku i tij, duke konsumuar lëndë narkotike në një hotel në superstradën Durrës-Tiranë në prani edhe të dy personave të tjerë.

Policia bëri me dije se nga të shtënat ka mbetur i plagosur me një plumb më krah Anri Sulejmani, 20 vjeç, ndërsa autori i dyshuar është Markeljan Beqiri, 26 vjeç. Mësohet se dy të rinjtë së bashku me shtetasin Tefik Shehu dhe Anxhela Brisku kanë shkuar mbrëmjen e së mërkurës në një hotel në superstradën Tiranë-Durrës rreth orës 22:00. Siç ka treguar recepsionisti Enver Hysenaj, ata ishin të dehur në momentin që i kanë kërkuar atij një dhomë, shkruan panorama.

Mësohet se ata kanë kërkuar një dhomë për të konsumuar alkool dhe kokainë. Pas disa minutash, recepsionisti dëgjoi krismën e një arme dhe njoftoi Policinë. Por para se Policia të mbërrinte, recepsionisti teksa ka parë autorin të largohej me shpejtësi dhe shokun e tyre, vajzën e ka ndihmuar duke e fshehur në një dhomë tjetër të hotelit.

Në të njëjtën kohë, i plagosuri u dërgua në spital ku pas ndërhyrjes kirurgjikale mjekët konfirmuan se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes, grupi i hetimit nisi punën për dokumentimin e ngjarjes. Në dhomë u gjet vetëm 20-vjeçari i plagosur dhe mbetje kokaine, por jo arma e krimit.

Dëshmitë

Hetuesit pyetën recepsionistin, por ai fillimisht ka deklaruar se nuk kishte parë se çfarë kishte ndodhur. Por, Policia konstatoi nëpërmjet pamjeve të fiksuara nga kamerat e sigurisë së hotelit se recepsionisti ka nxjerrë vajzën nga dhoma dhe e kishte fshehur në një dhomë në pjesën e pasme të hotelit.

Aty e kanë shtrënguar recepsionistin, i cili është detyruar të rrëfente gjithçka dinte. Mësohet se 22-vjeçarja kishte marrë me vete për ta fshehur dhe pistoletën, me të cilën u qëllua Anri Sulejmani.

Anxhela Brisku dhe recepsionisti Enver Hysenaj u vunë në pranga, ndërsa u shpallën në kërkim autori plagosjes Beqiraj dhe miku i tij Tefik Shehu, të cilat u larguan nga hoteli. 22-vjeçarja në polici tha se ishte e dehur dhe nuk mban mend se për çfarë arsye u plagos Sulejmani.

“Ishim për qejf. Më herët kishim konsumuar alkool në një lokal në zonën e shkozetit. Më pas shkuam te hoteli për të konsumuar kokainën. Folëm me recepsionistin. Ai na dha një dhomë. Ishim shumë mirë. Po pinim dhe po argëtoheshim kur papritur Markeljani nxori armën dhe qëlloi Anrin. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Nuk e kuptova pse e qëlloi, pasi nuk kishin asnjë konflikt”, ka deklaruar 22- vjeçarja.

I riu i shpallur në kërkim akuzohet për “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtje pa leje”. Tefik Shehu për veprën penale “Moskallëzimi krimi”.

Ndërsa Anxhela Brisku akuzohet për “Armëmbajtja pa leje”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”. Edhe recepsionisti, 66-vjeçari, akuzohet për “Moskallëzim krimi”.