Si Basha mbylli PD per personat publik

Nga Arben Vata

Sa është thënë sidomos këto 2 muajt e fundit për Lulzim Bashën, nuk besoj se është thënë e folur për të qysh se ai erdhi krejt papritur në PD, 16-17 vjet më parë. Ndaj, besoj se në prag të kuvendit të tyre, demokratët kanë mjaftueshëm informacion rreth tij. Por mendoj se është e arsyeshme të sjell për publikun edhe një përvojë të përjetuar nga një miku im, një person publik i afërt me PD. Kjo  experiencë tregon për natyrën e zotit Basha, por njehkohësisht edhe atë të zotit Berisha. 

Në vjeshtën e vitit 2014, ky person takoi fillimisht doktor Berishën dhe i kërkoi mbështetje për tu angazhuar në zgjedhjet lokale të vitit 2015, me qëllim zgjedhjen në nivelet drejtuese të pushtetit lokal. Megjithë respektin për këtë person, z Berisha i tha se nuk mund ti bënte asnjë rekomandim apo ti ndërhynte zotit Basha. Më pas, ky person u konsultua me një mik, në fakt personalitet shumë i njohur në kryeqytet, por me lidhje të njohura me qarqet e majta të politikës. Ky i fundit, i tha se kjo zgjidhej shumë lehtë, pasi ky mund të fliste me familjen e kunatit të zotit Basha, me të cilën kishin njohje të hershme. Ky propozim nuk u pranua dhe personi që donte të përfshihej në politikë vendosi më në fund që të "mos i binte nga Kina". Me dëshirën e madhe për të kontribuar dhe për tu zgjedhur në PD, ai e takoi Bashën në zyrën e tij në Bashkinë e Tiranës prej nga doli për të mos u kthyer më. 

Siç tregon miku im, me një akrobaci të admirueshme fjalësh, z Basha i propozoi atij që në vend të politikës, të merrej me një projekt tjetër, për të cilin Basha tha se PD ka nevojë më shumë. Me dëshirën për bashkëpunim, miku im tregon se e hartoi projektin brenda një jave, por nuk pati kurrë mundësinë për tja treguar dikujt apo për më tepër z Basha, pasi ai nuk ia hapi telefonin për disa javë. Për pasojë, edhe miku im nuk e telefonoi me Bashën dhe ia fshiu numrin e telefonit nga kontaktet e tij. Për arsye personale miku im dëshiron që emri i tij të bëhet publik, por nga ana tjetër është i sigurtë se nëse Basha e lexon këtë koment, me siguri që i shkojnë në mendje disa emra. 

Se si është PD pas kaq vitesh, çfarë vlerash e kontributesh militojnë aty, më mirë se gjithkush e vlerësojnë anëtarët dhe të zgjedhurit e PD, por rezultatet e zgjedhjeve këto 8 vjet, dëshmojnë se cilët persona dhe personalitete ka preferuar të ketë rreth vetes z Basha.