Koronavirusi mes nesh, masat anti-Covid për lesh: asnjë ndenjëse bosh në urbanët e Prishtinës

Prishtinë - Kosova si shumë vende të tjera në botë po vazhdon të jetë nën ‘kthetrat’ e COVID-19. E ajo që shqetëson edhe më shumë qytetarët e në veçanti Qeverinë e Kosovës për të marrë masa të reja është paralajmërimi i shumë profesionistëve të kësaj fushe që do të ketë edhe viruse të reja, raporton Syri,net Kosova.

Për këtë Kosova po vazhdon të jetë ende nën masa të rrepta kundrejt COVID-19. Por se sa po respektohen këto masa të vendosura nga Qeveria e Kosovës mjafton ta  bësh një hap në ndonjërin qytet të Kosovës dhe të kuptosh qartë që qytetarët dhe vet Qeveria e Kosovës po lënë pas dore këto rregulla.

Ditë më parë kanë hyrë në fuqi disa masa të reja ku ndër to ka qenë edhe një që kishte të bënte me trafikun urban në Prishtinë.

Trafiku Urban në Prishtinë

Sqarimi në lidhje me këtë vendim ka dhënë edhe vet Kompania Publike “Trafiku Urban” e cila ka thënë se bazuar në masat anti-COVID të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, brenda një autobusi mund të udhëtojnë 17 udhëtarë apo 50 për qind e kapaciteteve.

 “Trafiku Urban, në kontekstin e pandemisë COVID-19, aplikon masat e dhëna nga Qeveria e Republikës së Kosovës, prandaj si pasojë autobusët lokalë, për arsye të ruajtjes dhe parandalimit të virusit, mund të ofrojnë shërbimin me vetëm 50% të ulëseve, përkatësisht pranimin me 17 udhëtarë në autobus”.

Por siç duket kjo kompani publike nuk po respekton masat anti-Covid, ngase në autobusë numri i udhëtarëve shkon deri në 25.

I pyetur një konduktor i kësaj kompanie se sa udhëtarë po merrni përgjigja e tij ishte 25.

“Valla deri 25 veta po i marrim”, u përgjigj shkurt konduktori.

Por nuk është vetëm çështja e numrit të kufizuar të udhëtarëve që nuk po respektohet, madje qytetarëve nuk po u kërkohet as dëshmia e vaksinimit, rregull ky i cekur në vendimin e MSh-së.

Udhëtarët

Një udhëtare e rregullt e autobusit 7C e cila udhëton dy herë në ditë i ka thënë Syri.net Kosova se as edhe një herë të vetme nuk më ka kërkuar askush dëshminë e vaksinimit. Të njëjtën gjë me konduktorin e thotë edhe udhëtarja për numrin e personave ne autobusë. Ajo thotë se asnjë karrige nuk lihet bosh.

“Ka disa vite që jam udhëtare e rregullt e linjës 7c nga trafiku urban dhe lirshëm mund të them se që nga fillimi i pandemisë në këtë linjë shumë pak janë respektuar masat e Qeverisë. Kur them masat e kam fjalën përdorimi i maskës, distancës por edhe mjeteve dezinfektues që duhet të ketë çdo autobus. Për me tepër tani pas vendimit të fundit që të jenë vetëm 17 udhëtar  brenda autobusit dhe të jenë të vaksinuar askush mua nuk ma kërkuar certifikatën e vaksinës tash e tri ditë, dhe ka qenë i mbushur vazhdimisht asnjë karrige e lirë. Por me aq sa kam parë edhe në linjat e tjera është i njëjti avaz nuk respektohen masat”,  ka thënë udhëtarja.

Kujtojmë që, vendimi për masat kundër COVID-19 është bazuar në vlerësimin e situatës së intensitetit të përhapjes dhe kapacitetit të sistemit shëndetësor për t’u përgjigjur, por duke i vlerësuar ato edhe nën dritën e efekteve të këtyre masave që mund të ketë në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë dhe individëve.

Foto: