VIDEO-SYRI TV/ Po vinin ta vrisnin, zbulohet shënjestra e atentatit në Kamëz

Policia e Lezhës parandaloi atentatin me armë zjarri ndaj një personi në Tiranë, e cila do të kryhej për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Kreu i policisë së Lezhës, Oltion Bistri deklaroi se për këtë ngjarje u arrestuan tre persona ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim. Gjatë operacionit u sekuestruan arsenal armësh, lëndë eksplozive dhe rreth 90 mijë euro të siguruara nga veprimtaria kriminale.

Nga SYRI TV

Policia e Lezhës parandaloi një atentat me armë zjarri, që do të kryhej ndaj një personi në Tiranë për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Për këtë ngjarje, policia arrestoi në flagrancë shtetasit Mark Lamkja , Nikoll Marku dhe shtetasja Marie Marku, ndërsa shpalli në kërkim Edmir Vlashin dhe Hektor Ndokën.

Në një deklaratë për mediat, Drejtori i Policisë së Lezhës, Oltion Bistri, deklaroi se këta shtetas u kapën teksa po përgatiteshin të ekzekutonin një person në Tiranë, të identifikuar si Preng Paluca.

Grupit kriminal që do të kryente atentatin në kryeqytet, iu sekuestruan arsenal armësh, lëndë eksplozive tritol, municione dhe mjete të tjera të cilat dyshohet se do të përdoreshin në ngjarjen kriminale.

Armët e sekuestruara, sipas Drejtorit të Policisë së Lezhës do të dërgohen për ekzaminim në laboratorin e Policisë Shkencore në Tiranë, pasi dyshohet se ato janë përdorur dhe në ngjarje të tjera kriminale në vend.

Ndërkohë, SYRI.net dhe SYRI TV kanë siguruar detaje shtesë nga operacioni i policisë. Dyshohet se në shënjestër të atentatit ishin dy vëllezër në Tiranë. Në banesën e njërit prej vëllezërve, Preng Paluca në gusht të këtij viti u bë atentat me tritol, por fatmirësisht nuk pati probleme.

Dy personat në kërkim Edmir Vlashi dhe Gektor Ndoka, të cilët ishin pjesë e organizimit të atentatit, dyshohet se me shënjestrën kanë pasur prishje të pazareve të drogës në shtetin Belg.

Ndërkohë, në një tjetër operacion të zhvilluar gjatë orëve të fundit, policia e Lezhës arrestoi Vlash Shahinin, i cili u kap në flagrancë duke transportuar 20 kg drogë kanabisi e cila do të shitej në Tiranë.