Tritan Shehu: Hije të zeza duan përsëri të devijojnë drejtimin tonë

Festa e Rinisë - dita e asaj lëvizjeje të madhe, që çoi në lindjen e pluralizmit shqiptar.

Nga Tritan Shehu.

Në fakt ai dhjetor shënoi rrëzimin e një prej diktaturave më të egra që njerëzimi kishte njohur në këtë epokë moderne të tij. Dhe ato ditë, pas atij sinjali të fuqishëm që shpërtheu nga studentët e të rinjtë tanë, u bëmë të gjithë së bashku, të gjithë, studentë, pedagogë, banorë të Tiranës nga rrethe të ndryshme, të gjithë që aspironin për një Shqipëri të lirë e me fytyrë europiane.

Thirrja e atyre ditëve “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa” vazhdon të gjëmojë dhe sot, duke qënë gjithmonë edhe më aktuale.

Fatkeqësisht, mbas 31 vitesh, vendi ynë është rifutur në një udhëkryq historik të përkatësisë së tij. “Hije të zeza” duan përsëri të devijojnë drejtimin tonë, duke na kujtuar tragjeditë tona historike, ato të pushtimeve otomane e komuniste, që na degdisën me dhunë shumë larg familjes sonë europiane e perëndimore.

Është në dorën tonë të reagojmë e veprojmë në mbrojtje të orientimit tonë të pakthyeshëm perëndimor, vlerave të demokracisë, pa pasur iluzione se dikush tjetër do ta bëjë për ne këtë, nëqoftëse ne vetë nuk do të dimë të luftojmë për këto qëllime madhore.