Shqiptari u vra në Greqi, vëllai: Do manipulojnë dosjen e tij, të ndërhyjë shteti shqiptar

Një ngjarje e rëndë u shënua në shtetin grek, me protagonist një shqiptar.

Adem Rusi nga Korça u raportua se ka vrarë veten me lidhëse këpucësh në furgonin e policisë së burgjeve.

Vëllai i tij, Shkëlqim Rusi deklaron në intervistë për Edicionin e Pasdites me moderatoren Armela Ferko në Syri Tv se autoritetet greke do manipulojnë dosjen e të vëllait, duke shtuar se kërkon që shteti shqiptar të ndërhyjë e të zbardhë ngjarjen.

“Vëllai im nuk kishte probleme me gardianët. Për 2-3 muaj do të dilte nga burgu. Vështirë të besoj se do ketë drejtësi. Nuk janë zbardhur vrasjet e shqiptarëve në Greqi, i kanë vrarë me kamera në sy dhe prapë nuk është gjetur e vërteta. Do manipulojnë dosjen e vrasjes.

Më thanë se është vetëvrarë në dritare të furgonit, gjë që është e pamundur, se ishte 120 kg dhe ishte me 2-3 gardianë burgu. Kjo është gënjeshtër, një përrallë me mbret. Unë dua që autoritetet shqiptare të zbardhin ngjarjen, të ndërhyjë shteti shqiptar”, deklaroi Shkëlqim Rusi.