Vijon debati për komedinë ‘Prefekti’, tërhiqet Teatri Kombëtar, fshin leximin artistik

Pas zhurmës mediatike dhe debatit që u ndez nga ringjitja në skenë e komedisë “Prefekti” të Besim Levonjës  nga trupa e aktorëve të Teatrit Kombëtar, ka ardhur reagimi i këtij institucioni, i cili ka fshirë nga rrjeti social Facebook, leximin artistik që iu bë veprës më datë 28 Nëntor.

Mbesa e Qazim Mulletit pak ditë më parë në një intervistë për Syri Tv e quajti veprën art të censuruar, ndërsa kërkoi një reagim të institucioneve të kulturës dhe Teatrit Kombëtar. Drejtori i i Teatrit, Hervin Çuli pohoi për mediat se vendimi për ta hequr komedinë ishte marrë, pasi vepra preku familjarët, ndërsa regjisori Spiro Duni tha se shfaqja do të rivijë në skenë me emrin “Profeti”. 

Komedia që denigron figurën e prefektit të Tiranës hedh baltë edhe mbi veriorët.  Gjuha e përdorur, zanoret e zgjatura kanë vetëm një qëllim të stigmatizojë grupet shoqërore nga të gjithë zonat e Shqipërisë, duke shtrembëruar të vërtetën dhe duke denigruar mbi figurat e ndritura që i kanë dhënë shumë vendit.

Në fakt, vepra vjen si nje karikaturë komuniste e Qazim Mulletit, që nuk i ngjan aspak intelektualit të njohur. Edhe pse institucioni i Teatrit Kombëtar më datë 28 Nëntor, kur vepra u risoll përmes leximit artistik e quajti si një përshtatje me këndvështrimin e sotëm, përmes një vështrimi vertikal Syri Tv,  zbuloi se nuk ka asnjë rishikim apo ndryshim të komedisë “Prefekti” me interpretim të Robert Ndrenikës.