Vrau djalin e tij në janar, jepet dënimi sa vite burg do të vuajë Skënder Krasniqi

Prishtinë - Me 3 vjet e pesë muaj burgim është dënuar Skënder Krasniqi, që më 27 janar ka qëlluar për vdekje djalin e tij, Albertin.

Sipas vendimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, vrasja e cila bëri bujë në vend, ka qenë vrasje nga pakujdesia. Në 3 vjet e pesë muaj burgim, Krasniqit do t’i llogaritet edhe periudha e kaluar në paraburgim që nga 27 janari.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit S.K për veprën penale Vrasja nga pakujdesia nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari S.K është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vite e pesë (5) muaj, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Koha e kaluar nën masën e paraburgimit për të pandehurin do të llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim prej datës 27.01.2021”, thuhet në njoftim.

Vrasja ndodhi më 27 janar të këtij viti, rreth orës 17:00. Pas vrasjes së djalit, Skënder Krasniqi e mori vetë në telefon, Policinë e Kosovës.