Rama s'ka koalicion për të drejtuar Prishtinën, cila parti do t'ia pranojë ftesën?

Prishtinë - Përparim Rama i LDK-së sot mori zyrtarisht detyrën si kryetari i Prishtinës, por ende nuk ka finalizuar një koalicion për të drejtuar atë. LDK-ja nuk e ka as shumicën e thjeshtë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ato 26 ulëse që do t’i mundësonin të punonte pa ndihmën e partive tjera.

Prandaj dhe Përparim Rama u shpreh i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë. Por si duket PDK-ja ka vendosur t'ia mbyllë derën për të qeverisur së bashku në kryeqytet, të paktën i tha një burim Syri.net Kosovës brenda kësaj partie.

Në anën tjetër Syri ka kontaktuar me shefin e grupit asamblist të Vetëvendosjes, Berat Lahun për të marrë një konfirmim zyrtarë nëse kanë pranuar një ftesë nga LDK. Lahu ka thënë se ende zyrtarisht nuk kanë pranuar ndonjë ftesë pavarësisht deklaratës së Ramës gjatë betimit të tij si kryetar, por si parti, në momentin që do të vijë diçka zyrtare do të marrin vendim në të mirë të jetës së qytetarëve.

“Ne do ta shqyrtojmë këtë ftesë në organet e udhehqësisë së degës dhe qendrës e pastaj do të vendosmi. Vendimi gjithmonë do të jetë në të mirë të qytetarëve, pasi si subjekt jemi shumicë në asamble dhe dëshira jonë është që të kemi pjesëmarrje edhe në ekzekutiv  dhe të ecim përpara” u shpreh Lahu për Syri Kosovën.

Kujtojmë se në garën për drejtimin e kryeqendrës kosovare ishin gjashtë kandidatë nga parti të ndryshme por që në fund pas raundit të dytë fitues doli, arkitekti Përparim Rama/Syri Kosova