16 vite Merkel/ Reputacion i mirë, suksese të pakëta

Nga Ralf Schuler, BILD

Në fjalimin e parë të unitetit si kancelare në vitin 2006, Angela Merkel u ankua se sa shumë kishte depërtuar në Gjermani ajo që njihet si ‘jetesa me çdo mjet’. Me borxhin kombëtar, vetëkënaqësinë, ligësinë lobuese dhe bllokadat e federalizmit, kombi po konsumon të ardhmen e tij.

15 vjet më vonë, në fund të drejtimit si kancelare nga Angela Merkel, këto fjali vazhdojnë të aplikohen edhe sot. Ato u konfirmuan në mënyrë dramatike, shpesh edhe ekzistenciale, gjatë krizës së koronavirusit.

Kushdo që dëshiron të bëjë një bilanc të epokës së Merkel, do të hasë në një kontradiktë të çuditshme mes reputacionit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar si një politikane gjithëpërfshirëse, e matur dhe e fiksuar pas detajeve dhe një liste mjaft të varfër të sukseseve politike.

Partia

Partia e saj, CDU, ka rënë përtokë. Unioni ka përjetuar nivelin më të ulët historik në zgjedhje, në të cilat Merkel nuk kandidoi më.

Energjia

Gjatë fushatës elektorale, Merkel bëri thirrje për një kohëzgjatje më të madhe për centralet bërthamore. Por në vitin 2011 ajo hoqi dorë krejt papritur nga energjia bërthamore si pasojë e katastrofës së Fukushimës. Sot Gjermania ka çmimet më të larta të energjisë, gjithashtu kërkon të heqë dorë nga qymyri- dhe është më e varur se kurrë nga rrjeti elektrik i fqinjëve.

Financat

Gjatë krizës financiare të vitit 2008, Merkel dhe ministri i atëhershëm i financave, Peer Steinbrueck, garantuan për sigurinë e kursimeve të gjermanëve. Megjithatë, pak më vonë ajo dha dritën jeshile për shpëtimin miliarder të grekëve, çka nuk e ka ndihmuar vendin as sot.

Gjatë krizës së koronavirusit, Merkel gjithashtu hoqi premtimin qendror të Traktatit të Mastrihtit. Ajo ra dakord për një bashkim evropian të borxhit. Politika e normës zero të interesit nga BQE tani po zhvlerëson gradualisht depozitat e kursimeve të gjermanëve.

Emigracioni

Si pasojë e krizës së emigracionit në vitin 2015, AfD arriti të pozicionohet përgjithmonë në skajin e krahut të djathtë. Ndarja në shoqëri vazhdoi edhe gjatë krizës së koronës. Terrori islamik dhe krimi me thika mori një dimension të ri.

Politika e jashtme

Vështirë se ndonjë nga llogaritë e kancelares ka funksionuar në fushën ndërkombëtare të lojës.

Varësia nga gazi rus po rritet. Në funksion të ekonomisë gjermane, Merkel kultivoi një marrëdhënie të ngushtë me Kinën, por rriti edhe varësinë e saj nga Pekini. Kjo duhet korrigjuar tani.

Tërheqja e nxituar nga Afganistani u shndërrua në dështimin më të rëndë të Perëndimit që nga Lufta e Vietnamit.