EMRAT/ Armë, heroinë dhe miliona lekë, arrestohen 5 persona në Tiranë

Pesë persona janë arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit të koduar “Kompleks”. Atyre iu kapën me një armë zjarri pistoletë, një sasi heroine e ndarë në doza, 2.600.000 lekë të rinj, 2 mijë euro, peshore elektronike, 10 aparate celularë dhe një makinë.

Të arrestuarit janë: Shkëlqim Palushi 24 vjeç, Xhekson Kolezi 23 vjeç, Geraldo Zyberi 23 vjeç, Armandi Diçe 30 vjeç dhe Emiljan Dyrmishi 26 vjeç.  Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin furnizonin me heroinë dhe kanabis disa zona të Tiranës.

Po sipas policisë, shuma e sekuestruar prej 2.600.000 lekë të rinj dhe 2000 euro është përfituar nga ky aktivitet kriminal. Heroina e sekuestruar ishe e ndarë në doza gati për shitje. Makina e sekuestruar përdorej nga të arrestuarit, për shpërndarjen e lëndës narkotike.

Ja njoftimi i plotë i policisë:

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kompleks”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta.

Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Strukturat e Hetimit në DVP Tiranë, pas një hetimi disamujor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Vihen në pranga 5 persona të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, një sasi heroine e ndarë në doza, 2.600.000 lekë të rinj, 2 mijë euro, peshore elektronike, 10 aparate celular dhe një automjet.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, bazuar dhe në provat e grumbulluara, si rezultat i një hetimi disamujor, nën drejtimin e Prokurorisë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, në bashkëpunim me specialistët e Strukturave të Hetimit në DVP Tiranë, është finalizuar operacioni policor "Kompleks", në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit:

Sh. P., 24 vjeç, për veprat penale "Prodhim dhe shitja e narkotikëve" kryer në bashkëpunim dhe "Armëmbajtja pa leje";

Xh. K., 23 vjeç, G. Z., 23 vjeç, A. D., 30 vjeç dhe E. D., 26 vjeç, për veprën penale "Prodhim dhe shitja e narkotikëve" kryer në bashkëpunim.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitet kriminal në fushën e shpërndarjes  së lëndëve narkotike të llojit heroinë dhe cannabis sativa, në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e llojit pistoletë, 2.600.000 lekë të rinj dhe 2000 euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal, një sasi lënde narkotike heroinë, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, një peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike, 10 telefona celular, një automjet që përdorej nga të arrestuarit, për shpërndarjen e lëndës narkotike.

Vijon operacioni për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë, si dhe dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.