Genc Pollo: Gjermanët s'kanë qenë dakord me djegien e mandateve, gabim fatal i Bashës

Në 'Çim Peka Live' në Syri Tv, Genc Pollo mohon që gjermanët të kenë mbështetur djegien e mandateve në 2019.

Pollo tha se vendimin e mori Lulzim Basha duke sjellë më pas kosto për të dhe demokratët.  

Gabim fatal ai e quan edhe lënien e bashkive duke bojkotuar zgjedhjet vendore të 30 qershorit. 

Çim Peka: Ka pasur një perceptim që raportet e Bashës me Europën dhe me Gjermaninë sidomos në këto aspekte e keni ndihmuar shumë. A është e vërtetë që Basha ka pasur shkelje syri që të djegë mandatet?
Genc Pollo:
Nuk më rezulton. Jo. Nuk e imagjinoj që një politikan serioz, së paku miqtë tanë të CDU, as social-demokratët e të Gjelbërit nuk e imagjonojnë. Djegia e mandateve ishte fatale, dëmtoi demokratët, dëmtoi Bashën, se pa atë gjë, sot me gjasë do flisnim për Lulzim Bashën kryeministër.

Genc Pollo: Unë kam qenë kundër djegies së mandateve. Basha ma ka thënë dy muaj përpara dhe e kam kundërshtuar, më ka thënë jo e kam diskutuar me gjermanët, nuk kishte shanse të thoshin gjermanët “po” për djegie të mandateve. Nëse nuk do ishin djegur mandatet dhe do ishim futur në garë për zgjedhjet lokale, të fitonim dy bashki më shumë se më përpara, sot do të diskutonim qeverinë e PD-së dhe të LSI-së do flisnim për kryeministrin Basha, është dramë kjo që ndodh, ajo që rëndon kryetarin e vulës, siç e thoni ju, dhe nuk dha as dorëheqjen. Në Shqipëri nuk rri dot thuajse 10 vjet në opozitë, në Kosovë edhe ndodh se janë 3-4 parti, kurse në Shqipëri është si në Britani ku janë dy blloqe kryesore. Djegia e mandateve ishte gabim fatal edhe ai i lokaleve. Ndodhi, port ë vazhdosh të drejtosh partinë akoma, duhet të kërkosh falje për gabimin, duhet të premtosh se kurrë nuk do bësh më gabim të tillë. Basha kurrë nuk ka bërë asnjë nga këto. Kjo e skualifikon nga mundësia për të qenë kryetar të PD.