Abilekaj: Zgjidhja e krizës në PD mund të vijë vetëm nga Foltorja e Berishës

Gazetari Enton Abilekaj, i ftuar në emisionin Ora 19:00 me moderatoren Juli Krisafi, foli për mbajtjen e Kuvendit të datës 11 dhjetor.

Abilekaj theksoi se zgjidhja e krizës në PD mund të vijë vetëm me anë të Foltores të Sali Berishës.

“Sali Berisha në Foltoren e tij nderoi kujtimin e ish-senatorit amerikan të ndjerë tani, Bob Dole. Nëse ky Kuvend i dates 11 nuk e zgjidh krizën e PD-së, atëherë PD do jetë në krizë të vazhdueshme. Kuvendi është momenti i fundit ku mund të zgjidhet kriza e PD. Opozita ka nevojë që të bëhet më e fortë dhe prandaj Foltorja e Berishës tërheq kaq shumë vëmendje. Kjo se për çdo gjë që bën Edi Rama, ne themi direkt se nuk ka opozitë e prandaj vëmendja e madhe ka qenë tek opozita. Dhjetori është muaji vendimtar për opozitën dhe debati në dhjetor duhet të mbyllet me zgjidhje.

Me Foltoren në SHBA, mesazhi ishte se Foltorja e Berishës ka ndikim edhe te shqiptarët që jetojnë përtej Oqeanit, në Amerikë. Lulzim Basha nuk ka mbështetjen e njerëzve, sado ta zgjasë Basha lidershipin, do vijë një pikë që nuk do shkojë më tej këmbëngulja e tij. Basha duhet ta mendojë edhe dorëheqjen, për shkak të humbjeve të vazhdueshme. Nëse Berisha mund Bashën, opozita do ndryshojë. Kjo se deri tani kishim opozitë që krijonte realitet virtual e tani kemi mundësi që opozita të jetë reale, ta shohë në sy realitetin, duke mos bashkëpunuar kurrë me Ramën, por Rama ta firmosë vetëm kapitullimin e tij. Lufta është ndaj një njeriu si Rama, që nuk njeh vullnetin e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Abilekaj.