VIDEO/ Kolaveri i përgjigjet Endri Hasës: Kur votoj për Bashën jam mik, kur firmos për Berishën bëhem armik!

Përparim Kolaveri, degat i PD Kamëz, i përgjigjet akuzave të Endri Hasës i cili sot e tha se ai ka punuar për Tom Doshin në fushatë. 

Në një reagim për Syri Tv, Kolaveri mohoi akuzat dhe u shpreh se ka qenë delegat i PD edhe në Kuvendin e 17 korrikut, ndërsa si dëshmi për këtë publikoi edhe mesazhin e dërguar nga Partia Demokratike. 

Kolaveri shton se kur votonte për Lulzim Bashën ishte mik i tij, ndërsa tani që firmosi për Sali Berishën bëhet armik. Delegati i Kamzës shprehet se do të marrë pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit. 

"Nuk janë të vërteta. Unë jam kryetar i grupseksionit 15/93 në Kamëz. Jam anëtar i PD që nga mosha 18 vjeç. Kur kam qenë unë në PD, Endri Hasa nuk dinte ku bie PD-ja. Unë jam qenë delegat edhe i datës 17 korrik 2021. Kam tre mesazhe nga tre numra të ndryshëm dhe jam i gatshëm t'i vendos në dispozicion. Fatmirësisht i kam ruajtur, edhe pse nuk e dija se do të vinte ky moment. Kur unë isha delegat në 17 korrik 2021 dhe kur Basha më kishte në krah të tij, më kishte mik, kurse sot më shpall armik. Unë kam firmosur për Kuvendin e datës 11 dhjetor 2021. Mua nga PD nuk më përjashton dot as Basha, as Berisha e askush. Pasi kam origjinën dhe kam aderuar në atë parti prej 25 vitesh. Kam dhënë shpirtin fushatë pas fushate, ditën, natën", u shpreh Kolaveri.  

Sa i takon fotos së publikuar nga Hasa ku Kolaveri ishte në krah të deputetit të PSD, Gertjan Deda, delegati demokrat thotë ai është kushëriri i tij.  

"Unë atë e kam kushëri dhe gjakun nuk e bëj ujë. E kam hedhur vetë atë foto dhe nuk e mohoj. Unë zotit Hasa mund t'i bëj edhe 10 foto të tjera me atë e t'ia nis. Nuk jemi në 44 që të shpallim luftën e klasave. Atij i uroj edhe një mandat tjetër, sepse është gjaku im, është kushëriri im".