VIDEO/ Gjendet një ‘shtëpi bari’ në Durrës, 5 persona në pranga

Pesë persona janë vënë në pranga nga policia pasi është zbuluar një ‘shtëpi bari’ në fshatin Shën Vlash të Durrësit.

Policia bën të ditur se gjatë operacionit ‘Meshigli’ janë arrestuar babë e bir, pronarë të banesë dhe 3 punonjës të OSHEE, për mos kallëzim krimi.

Njoftimi i Policisë së Durrësit:

Finalizohet operacioni policor antikanabis i koduar ‘Meshigli’.

Gjatë operacionit goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, me llamba.

Arrestohen në flagrancë babë e bir, për kultivim të bimëve narkotike me llamba dhe përshtatje të ambientit për këtë qëllim.

Gjithashtu, gjatë operacionit vihen në pranga edhe 3 punonjës të OSHEE-së, për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre.

Sekuestrohet baza materiale elektrike që shërbente për kultivimin e kanabisit, me anë të ngrohjes.

Pas një pune gjurmuese, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për një ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, nga strukturat e hetimit të krimit në DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar ‘Meshigli’.

Gjatë këtij operacioni, në Shënavlash, u evidentua një banesë e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, në të cilën kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

U arrestuan në flagrancë shtetasi Sh. K. dhe djali i tij, shtetasi I. K., banues në fshatin Shënavlash.

Në katin e katërt të banesës së shtetasit Sh. K., u gjetën dhe u sekuestruan 15 kg e 100 gramë lëndë e dyshuar kanabis sativa dhe 254 bimë narkotike.

Në vijim të veprimeve janë arrestuar në flagrancë edhe shtetasit:

D. A., S. P. dhe A. K., punonjës së OSHEE-së, pasi nuk kanë kallëzuar për krimin dhe kanë shpërdoruar detyrën.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.