Situata e motit, Peleshi: Nuk presim përmbytje të mëdha, problem Shkodra

Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga moti i keq, ndërsa në orët në vijim, sipas sinoptikanëve pritet shtim i intensitetit të reshjeve të shiut.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha në një deklaratë për mediat nga Korça se nuk ka vend për panik, teksa theksoi se nuk priten përmbytje të mëdha.

Sipas Peleshit problem mbetet zona e Obotit në Shkodër, e goditur shumë herë nga përmbytje të mëdha. Ministri deklaroi se janë marrë masa dhe se strukturat shtetërore janë në gatishmëri.

‘Në pjesën juglindore, kemi Vjosën, është lum i egër. Në raste të reshjeve të mëdha rrezikon që të dalë nga shtrati.  Kemi nivele me rezervë në kaskadën e Drinit, liqeni i Fierzës ka rezerva mban edhe për disa ditë reshje, nuk do të kemi përmbytje të shtuara.

Në pjesën jugperëndimore, në lumin e Vjosës, mund të kemi dalje në rast se do të jetë i lartë intensiteti i reshjeve. Të gjitha strukturat janë në gatishmëri. Forcat e Armatosura janë gjithnjë si vlerë e shtuar dhe forca më e madhe në përballimin e emergjencave. Nuk presim përmbytje të mëdha, por në veri kemi zona depresive si zona e Obotit që me apo shkarkim liqenesh është zona e parë që rrezikon përmbytjen. Do të ketë reshje dëbore’, tha Peleshi.

Ndërkohë më herët gjatë ditës së sotme, Instituti i Gjeoshkencës paralajmëroi për reshje intensive, vërshime të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash. Në qarqet  Lezhë, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.