Debutoi me fitore në krye të Manchester United, Rangnick: Mbeta i befasuar nga loja

Ralf Rangnick debutoi me fitore si trajner i Manchester United, që iu fal eurogolit të Fred për të thyer 1-0 Crystal Palace.

United ia doli të mbajë portën e paprekur dhe ndodhet 3 pikë larg zonës Champions.

Trajneri gjerman nuk i kurseu elozhet për djemtë e tij, duke u shfaqur i gëzuar në prononcimin e dhënë për ndeshjes, ku ndër të tjera tha:

“Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si luajti skuadra, sidomos në 30 minutat e para. Presingu ynë ishte i shkëlqyer, na mungoi vetëm goli. U mbrojtëm mirë dhe e kontrolluam ndeshjen gjatë gjithë kohës.

Mbajtja e paprekur e portës ishte shumë e rëndësishme. Kam mbetur realisht i befasuar nga loja e djemve, duke marrë parasysh edhe faktin që kemi zhvilluar vetëm një seancë stërvitore së bashku.

U paraqitëm shumë më mirë se pritshmëritë. Është gjithmonë më e lehtë të ndërtosh kur skuadra vjen nga një periudhë e suksesshme. Në përgjithësi, unë jam shumë i kënaqur me mënyrën se si luajtëm sot”, theksoi trajneri gjerman.