SHBA, disa mënyra të ashpra për ta goditur Rusinë nëse pushton Ukrainën

Uashington – Administrata e Joe Biden ka shumë opsione për të përmbushur premtimin e saj për të goditur financiarisht Rusinë nëse presidenti Vladimir Putin pushton Ukrainën, duke filluar me sanksionet që vënë në shënjestër bashkëpunëtorët e Putinit e deri te shkëputja e Rusisë prej sistemit financiar që dërgon para në mbarë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë nuk kanë përmendur publikisht ndonjë plan për t'iu përgjigjur vetë ushtarakisht nëse Putin dërgon trupat e grumbulluara përgjatë kufirit në Ukrainë, një ish-republikë sovjetike me lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Rusinë, por tani e etur për t'u bërë aleate me NATO-n dhe Perëndimin.

Në vend të kësaj, goditja mund të jetë mbi paratë.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken premtoi këtë javë goditje financiare - "masa ekonomike me ndikim të lartë që ne nuk i kemi marrë në të kaluarën".

Shtetet e Bashkuara gjatë dekadës së fundit tashmë kanë vendosur një sërë sanksionesh kundër subjekteve dhe individëve rusë, shumë prej tyre për pushtimin dhe aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe mbështetjen e saj për separatistët e armatosur në Ukrainën lindore në vitin 2014.

Sanksionet e SHBA-së gjithashtu kanë kërkuar të ndëshkojnë Rusinë për ndërhyrje në zgjedhje, aktivitete keqdashëse kibernetike dhe abuzime të të drejtave të njeriut.

Që nga viti 2014, Perëndimi gjithashtu e ka ndihmuar Ukrainën të ndërtojë ushtrinë e saj. Pra, ndërsa Putin mohon çdo qëllim për të nisur një ofensivë, trupat e tij do të përballeshin me një ushtri ukrainase shumë më të aftë për të luftuar.

Sanksionet e vendosura tani ndaj rusëve përfshijnë ngrirjen e aseteve, ndalimin e të bërit biznes me kompanitë amerikane dhe mohimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara. Por në përpjekje për të ndëshkuar Rusinë, Perëndimi ndër vite ka peshuar dënime edhe më të mëdha financiare.

Kjo përfshin të ashtuquajturin opsion bërthamor: bllokimin e Rusisë nga sistemi i pagesave financiare SWIFT me bazë në Belgjikë që qarkullon paratë mes mijëra bankave në mbarë botën. Parlamenti Evropian këtë vit miratoi një rezolutë jodetyruese që bën thirrje për këtë hap nëse Rusia pushton Ukrainën.

Kur SHBA ushtroi me sukses presionin ndaj SWIFT për të shkëputur bankat iraniane për shkak të programit bërthamor të Iranit, ky shtet humbi pothuajse gjysmën e të ardhurave nga eksporti i naftës dhe një të tretën nga tregtia e jashtme, tha Maria Shagina, një eksperte për sanksionet dhe politikën energjetike e lidhur me Qendrën Carnegie Moscow.

Ndikimi në ekonominë e Rusisë do të ishte "po aq shkatërrues", shkruan Shagina. Rusia varet nga eksportet e saj të naftës dhe gazit natyror për më shumë se një të tretën e të ardhurave të saj federale dhe varet nga SWIFT për të bërë që petro-dollarët të rrjedhin.

Rusia ka punuar që nga viti 2014 për të izoluar sistemet e saj financiare të brendshme nga një ndërprerje e tillë. Një ndërprerje SWIFT do të shkaktonte goditje indirekt edhe për ekonomitë perëndimore.