VIDEO/ Nipi i Mulletit: Ndrenika ka kërkuar ndjesë për rolin e tij tek ‘Prefekti’

Vendosja ne skene e komedie ‘Prefekti’, nje komedi që ka synuar denigrimin e një prej intelektualeve më të shquar të kohës, Qazim Mulleti, vijon të prodhojë debate.

Nipi i Qazim Mulletit, Niuton Mulleti i ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, rrëfeu dramën e familjes Mulleti. Ai tregoi se kjo familje e ka vuajtur për vite me rradhë talljen e komedisë ‘Prefekti’.

‘Kam marrë guximin ta shoh, sepse në rrethin familjar nuk shihej nga trauma që kishte shkaktuar në familjen tonë. Ka qenë dëshmitar i talljes dhe përbuzjes edhe nxitur nga Komedia, e ashtuquajtura Komedi, po e quaj unë ‘Prefekti’… dhe sigurisht babai im, hallat e mia e kanë përjetuar luftën e klasave deri në detajin më të vogël dhe sa herë komedia shfaqej dhe rishfaqej edhe lufta e klasave ndaj tyre, intensifikohej. Unë do ta konsideroja një vepër në tentativë artistike pa mohuar talentin e të gjithë aktorëve që kanë luajtur në këtë komedi. Nuk kisha dyshime që ishte thjeshtë një nga shembujt e artit të realizmit socialist, për aq sa mund të konsiderohet art, sepse më tepër është një instrument në funksion të totalitarizmit të asaj kohe. Por është shumë e qartë që në personin e Qazim Mulletit, përqeshet, tallet, përbuzet dhe shtohet urrejtja kolektive ndaj shtresës së mesme qytetare, sepse ne asaj shtrese i përkisnim.’

Niuton Mulleti ka sjellë në vëmendje që edhe vetë aktori Robert Ndrenika ka kërkuar ndjesë për rolin e tij në komedi.

‘Vetë zoti Ndrenika në fakt ka kërkuar ndjesë pas viteve ’90 për aktrimin në këtë komedi, pasi sidomos pas viteve ’90 është vënë në dijeni edhe të fatit që ka pësuar Qazimi por dhe familja dhe i biri.’

Sa i përket dokumentit të fundit të publikuar nga deputeti socialist Erion Braçe, Niuton Mulleti u shpreh se Braçe ka abuzuar sepse e ka nxjerrë si urdhërues.

‘Shihet shumë qartë, mjafton ta lexoni tekstin, është një përgjigje ndaj një urdhëri të caktuar. Nuk është Qazim Mulleti që ka nxjerrë aktin e ekzekutimit. Nuk mund ta nxirrte, sepse edhe në kushtet e pushtimit fashist ka qenë një vendim i prerë penal i gjykatës respektive .. dhe prefekti në këtë rast i Tiranës, njofton zyrtarisht ministrin e Punëve të Brendshme të qeverisë shqiptare nën pushtimin Italian që akti i ekzekutimit të vendimit penal për dënimin me vdekje është kryer. Kjo është shkresa. Sepse, z.Braçe, po të shihni postimin ka abuzuar sepse e nxjerr si urdhërues, si ekzekutues.’