‘Vjedhje energjie dhe sherr me punonjësit e OSHEE’, vihen në pranga 3 persona në Lezhë

Policia e Lezhës ka arrestuar 3 persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër pasi kishin bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në banesë.

Blutë bëjnë me dije se u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve K. L., 23 vjeç, K. L., 18 vjeç (vëllezër) dhe P. B., 48 vjeç banues në Mamurras, Kurbin.

Gjithashtu, u shpall në kërkim policor shtetasi V. L., banues në Mamurras.

Punonjësit e OSHEE-së, gjatë kontrolleve të përbashkëta, kanë konstatuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në banesën e shtetasit P. B., i cili në bashkëpunim me shtetasit e tjerë ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e OSHEE-së, për shmangien e veprimeve procedurale.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale "Vjedhja e energjisë elektrike" dhe "Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore", kryer në bashkëpunim".