Alarmi i krizës energjetike po bie edhe në telefonat e kosovarëve: 'Filloni të kurseni energjinë'

Prishtinë - Që Kosova ka hyrë në një krizë të rëndë energjike, kjo tashmë nuk do shumë koment, por ajo që po na pret në dimrin i cili po vjen, do të jetë e vështirë, shkruan Syri.net Kosova sepse, sipas institucioneve përgjegjëse të energjisë siç është KEDS, shtrenjtimi i energjisë elektrike tashmë ka ndodhur në tregun evropian dhe ata po detyrohen që ta blejnë me një çmim të lartë.

Sipas një njoftimi që sot ka lëshuar KEDS, duket se situata është mjaft alarmuese, pasi buxheti për blerjen e rrymës po shkon drejt shterrimit. Prandaj edhe kompania e tyre po kërkon ndihmë nga organet kompetente që kjo, krizë të bëhet më e lehtë.

Ndërkohë, një lutje për kursim të energjisë KESCO ka filluar t'u dergojë që dje qytetarëve në telefonat e tyre. KESCO ka dërguar këtë sms në telefonat e qytetarëve.

Sido që të jetë, se cila është gjendja dhe si do të përballet Kosova me krizën energjetike në stinën e dimrit, zyrtarët nga KEDS janë të heshtur. Kjo ka ndodhur të paktën pas insistimit të Syrit.net Kosova, por zyrtarët e kësaj kompanie nuk e kanë hapur telefonin dhe nuk i janë përgjigjur kërkesave elektronike. Megjithatë, ajo që po shihet është se Kosova si vend po shkon drejt kalapsit, sa i përket krizës energjetike, dhe dimrin qytetarët me shumë gjasa do ta presin në terr e madje edhe të mërdhirë./