'Shampanjat u hapën, vizat për Kosovën nuk u hoqën'

U urua disa herë nga Qeveritë e kaluara. Madje u hapën edhe shampanja për ta shënuar si rast të veçantë, besa edhe historik se u stërzgjat mjaft si proces. Me një fjalë liberalizim “fiktiv” vizash për Kosovën pati. Bashkë me politikanët entuiziast se plotësuan të gjitha kushtet për fluturim të lirë të kosovarëve, kremtë bën edhe qytetarët, ama kot, shkruan Syri net Kosova.

Bashkimi Evropian pa një arsyetim konkret, madje duke pohuar ndër vite se shteti kosovar ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim vizash, një gjë të tillë s’po e hedh në letër.

Krejt kjo situatë po i lë më së keqi qytetarët kosovarë, ata që udhëtimin jashtë vendit po e kanë të komplikuar deri në “zyrtarizimin e liberalizmit”, shumë të kërkuar e të lënë peng.

Është profesori i politikave ndërkombëtare, Dritero Arifi ai që po konsideron se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe atë qysh nga viti 2018.

“Sa i përket rrugëtimit të liberalizimit të vizave  për Kosovën mund të them që pala kosovare sa i përket përmbushjes së kritereve ose urdhërrrëfyesit i cili është përcaktuar nga Komisioni Evropian Kosova i ka përmbushur qysh në vitin 2018. Poashtu që nga viti 2018 Komisionni Evropain e ka potencu edhe në raportin e tij që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka dhënë dritën e gjelbër, pra Këshillit Evropian që mund të debatohet për liberalizimin e vizave. Është edhe Parlameti Evropian të njejtën gjë e ka konfirmuar që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriterët që janë kërkuar nga Komisoni Evropian. Në secilin raport që bëhet për vendin tonë çdo vit edhe këtë vit KE e ka potuencu që Kosova i ka plotësu të gjitha kriteret për liberalizmin e vizve. Ngecja kryesore është te Këshilli i Ministrave”, është shprehur ai për Syri net Kosova.

Sipas Arifit deri më tani Qeveria Kurti nuk ka dhënë ndonjë sinjal që do të ndikonte negativisht në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovë.

“Normalisht Qeveria e re ka dhënë sinjale pozitive deri tash që nuk ka pasur ndonjë skandal të madh dhe e ka vazhduar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por normalisht duhet të ngritet nivelit i llogaridhënies dhe përgjegjëisisë të të gjithë zyrtarëve publik. Të krijohet një mentalitet ndëshkues, kjo Qeveri e ka këtë obligim për të gjithë ata zyrtarë që keqpërdorin paranë publike”, ka shtuar ai.

Për profesorin ngecja kryesore pse kosovarët s’po gëzojnë udhëtim pa viza është më shumë politike sesa teknike.

“Ngecja tjetër është politike sepse Bashkimi Evropian nuk ka me çka ta “kërcënoj” Kosovën për çështjen e dialogut politik me Serbinë. Serbinë e kanë kërcënuar që nuk do të hapin negociata për të vazhduar rrugëtimin e saj në rrugëtimin evopian. Problemi është më shumë politik sesa teknik”

Ndërsa Gazmir Raci ish-këshilltar për dialog e ka lidhur mosliberalizimin e vizave pikërisht me ngecjen e bisedimeve mes shtetit serb dhe atij kosovar.

“Ngecja e dialogut Kosovë-Serbi po e mban peng çështjen e liberalizmit të vizave. Arritja e një marrëveshje  finale në  dialog të Brukselit mendoj që do t’i hap rrugë edhe liberalizimit të vizave. Rezultate konkrete edhe nuk ka presim me pasë që ai të ndikojë automatikisht edhe te vizat”, ka thënë ai për Syri net Kosova.

Edhe mungesa e rezultateve konkrete sa i përket luftës së krimit të organizuar dhe korrupsionit, sipas Racit është shkak i mosdhënies së vizave për Kosovën.

“Poashtu edhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit ka qenë edhe kërkesë shtesë që i është bërë disa shteve anëtare të Bashkimit Evropian në këtë fazë. Kurse sa i përkest luftës së krimit dhe korrupsionit momentalishjt kemi shprehje deklarative sa i poërket ose zotime por ende nuk kemi fillu me ato “goditjet e mëdha në këtë aspket”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar gjatë ditës së djeshme që Bashkimi Evropian sa më shpejt të heqë regjimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Stabiliteti politik dhe legjitimiteti demokratik janë parakushte që kanë munguar, e që zgjedhjet e 14 shkurtit i kanë mundësuar për të krijuar pronësinë vendore, që nevojitet për zbatimin e reformave për integrim në Bashkimin Evropian. Gjatë këtyre tetë muajve të qeverisjes kemi miratuar dhe po zbatojmë në afate kohore prioritetet politike për integrim evropian ose Agjendën për Reforma Evropiane (ERA II), ndërkaq në anën tjetër presim që Bashkimi Evropian sa më shpejt të heqë regjimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, u shpreh më tej kryeministri Kurti.