Invalidët kërkojnë të drejtat: As në Pr/Buxhetin 2022 s'i morën parasysh kërkesat tona, diskriminim total!

Invalidët kanë nisur një marshim proteste sot në Tiranë, nga sheshi Skënderbej deri në Sheshin Nënë Tereza, për të tërhequr vëmendjen e qeverisë për zgjidhjen e kërkesave të tyre ekonomike dhe zbatimin e ligjeve që janë hartuar posaçërisht për këtë shtresë dhe nuk janë zbatuar asnjëherë.

Kjo është dita e dytë e protestës së tyre, pas asaj që organizuan dje përpara parlamentit dhe ku detyruan kryeministrin Edi Rama të ndalej dhe t’i dëgjonte. Ata nuk janë pak: vetëm invalidë pune në Shqipëri numërohen 75 mijë persona, përveç atyre para dhe tetraplegjikë.

Drejtuesit e dy grupimeve më të mëdha të personave me aftësi të kufizuara janë ftuar sot në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV për të shprehur kërkesat dhe shpresat ,pas takimit që patën dje me Ramën dhe dy ministret e ngarkuara për pritjen e tyre.

Z. Abdulla Omuri, President i Shoqatës Shqiptare të Invalidëve të Punës tha: “Sot kemi mbi 75 mijë invalidë punë që janë aksidentuar në punë ose me sëmundje profesionale a me sëmundje të përgjithshme që përfitojnë pension invaliditeti nga sistemi i sigurimeve. Mosha mesatare e  tyre është 42,2 vjeç dhe me përbërje familjare  4-5 persona në familje. Duke pasur parasysh se mosha mesatare është mjaft e re, këta persona kanë dhe detyrime familjare.

Si paraqitet gjendja ekonomike financiare e tyre? - 42 mijë invalidë të plotë marrin një pension nga 14 mijë lekë në muaj dhe 29 mijë invalidë të pjesshëm që janë me te drejtë pune, marrin sa 50% të pensionit të invaliditetit të plotë. Pra, ekzistojnë shumë ligje që favorizojnë këtë shtresë por zbatimi i tyre lë shumë për të dëshiruar.

Mund të themi që edhe në ditët që ishim për trajtimin e projektbuxhetit 2022, as nuk u morën parasysh vërejtjet tona. Ky është një diskriminim total. Pra invalidët e punës që kanë kontribuar në jetë, sot jetojnë me minus 2 dollarë në ditë për frymë, në ekstremin e  varfërisë.

Sot invalidët e punës përjashtohen nga taksat sipas ligjit për taksat vendore, por kjo nuk realizohet. Hiqet akciza për hotelet me 5 yje, hiqen taksat për hotelet me 5 yje dhe nuk hiqet për invalidët e punës edhe pse e përcakton neni 16 i ligjit. Sot kemi dhe disa të drejta të mohuara nga veprimtaria, siç është transporti urban, tre qytete, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan ku ligji për transportin urban nuk zbatohet," nënvizoi Omuri.

Tetraplegjikët

Ndërsa z. Ali Plaka, President i Shoqatës së Invalidëve Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, u tregoi gazetarëve Dori Daka dhe Flavio Qarri se “sot është 3 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare e Paftësisë që e njeh gjithë bota, por kjo ditë për ne është shumë, shumë e rënduar. Sot duhej të ishim duke festuar në mes të sheshit nga shteti, jo të na gjente në këtë gjendje siç jemi. Të gjithë invalidët paraplegjikë ndodhen nëpër krevatë që po kalben. Nuk i bie ndërmend njeriu për ata. Kemi bërë disa greva, disa protesta. Edhe dje ka pasur. Ka dalë z. Kryeministër dhe Ministrja e Mirëqënies, dhe Ministrja e Financës e kanë premtuar se do t’i realizojnë.

Inshalla, inshalla i bie mendja këtij kryeministri dhe qeverisë që t’i shikojë këta njerëz me sy më të mirë! Patëm një takim të shkurtër dje me Kryeministrin, me Ministren e Financës dhe Ministren e Shëndetësisë që na kanë premtuan se do të bëjnë diçka. Të shohim tani! I kam bërë mbi 20-30 letra Ministres së Shëndetësisë dhe nuk kam marrë një përgjigje, “jo” ose “po” për të drejtat tona.

Akoma invalidët nuk kanë marrë lekët nga 2005-a e 2010-a. Një vendim të Këshillit të Ministrave, ministrja e ka mbi tavolinë dhe nuk e zbaton. Nuk e di pse nuk zbatohet kjo VKM. Kur del një Vendim i Këshillit të Ministrave duhet të zbatohet jo pas 20 viteve, po brenda muajit,” theksoi z. Ali Plaka./ar.sh/SYRI.NET

Intervistat e plota në videon e Kafe Shqeto: