VIDEO-SYRI TV/ Basha flet për pastrimin e parave, Balla e këshillon për ‘Toyota Yaris’

Kreu aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bëri sërish thirrje që të pranohet kërkesa për vetingun në politikë.

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare në Kuvend, Basha theksoi se lufta kundër pastrimit të parave duhet të nisë nga salla e parlamentit.

Gjithashtu ai u shpreh se kjo çështje duhet të trajtohet me kurajë, pa frikën e fatit personal të askujt.

Basha tha se drejtuesit më të lartë të mazhorancës janë kapur në përgjimet e antimafies italiane për afera të ndryshme që kanë të bëjnë me pastrimin e parave, duke nisur nga ndërtimet dhe deri te tenderët.

Në përgjigje ndaj Bashës reagoi kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Ai i kujtoi Bashës çështjen e Toyota Yaris, meqë po flitej për pastrimin e parave.

Balla i sugjeroi Bashës që të padisë ish-kryeministrin Sali Berisha që e ka akuzuar për këtë aferë.

“Do doja që Basha të qëndronte në sallë. Bashës do doja t’i sugjeroja meqë Berisha na ka akuzuar të dy për bashkëpunëtorë në çështjen ‘Toyota Yaris’, të bëjë të njëjtën gjë që bëra unë me Bashën. Unë Bashën e kallëzova penalisht dhe mendoj që Basha ta kallëzojë penalisht Berishën në gjykatë. Meqë po flasim për pastrim parash zotëria që bën zhurmë (i drejtohet Bardhit) ka qenë avokat i Bashës në atë gjyq të humbur nga Basha”, tha Balla.