'600 mijë euro për infermierin/ Një tender i shkëlqyer në infrastrukturë'

Nga Klodian Tomorri

Ka bërë një tender ARRSH për zgjerimin e rrugës që lidh Aeroportin e Vlorës me Autostradën Fier-Vlorë. Fondi limit 2.2 milionë euro. Ajo që ka ndodhur aty është një monument i pisllëkut buxhetor.

Kane skualifikuar 10 ofertat më të ulëta dhe ia kanë dhënë tenderin kompanisë së 11-të. Kush ishte kompania e 11-të? Fusha. Diferenca nga oferta më e ulët tek oferta fituese është plot 600 mije euro.

Statistikisht, probabliteti që 10 oferta rresht të mos jenë në rregull me kriteret e tenderit është zero. Thjesht është e pamundur të ndodhë. Por si e kanë justifikuar? Kollaj fare.

Të dhjetë ofertat janë skualifikuar thuajse me të njëjtin sebep. Kompanitë nuk kane pasur të kontraktuar ose të punësuar një ekspert për dhënien e ndihmës së parë. Domethënë duhej një infermier me kutinë e ndihmës së shpejtë në kantier. 

Kriteret e tenderave të këtyre janë vepër arti. A thua se nuk i kërkohet dot kompanisë, që ka paraqitur ofertën më të mirë, të pajtojë një ekspert të ndihmës së shpejtë pasi është zhvilluar tenderi. Institucionet e huaja, USAID-i, BE etj, etj kështu veprojnë kur bëjnë tendera. Kurse këta tanët jo. Sepse këta nuk kanë qëllim të mbrojnë taksapaguesin dhe ta çojnë garën tek oferta më e mirë për buxhetin. Qëllimi i këtyre është që të përdorin kriteret për ta çuar tenderin aty ku duan.

Si përfundim, këtë infermierin e Fushës, që do të vije rrotull kantierit të rruges me kutinë e ndihmës së shpejtë në dorë, do ta paguajmë 600 mijë euro ne për vetëm 14 muaj. Njësoj si CEO-n e Goldman Sachs.